Me 2 kilogramë kokainë dhe 37 mijë euro të sekuestruara, arrestohet 33-vjeçari shqiptar në Itali

Me 2 kilogramë kokainë dhe 37 mijë…

Një 33-vjeçar shqiptar dhe një 58-vjeçar italian kanë rënë në prangat e autoriteteve italiane, pasi u kapën gjatë një operacioni antidrogë në provincën e Veronës, ku u sekuestruan 2 kilogramë kokainë dhe 37 mijë euro që dyshohet se janë përfituar nga aktiviteti kriminal.

Sipas mediave italiane, operacioni nisi në zonën e San Bonifacio, ku karabinierët vunë re një automjet të ndaluar buzë rrugës dhe një person që shfaqte sjellje të dyshimta. Për të mos rënë në sy, efektivët vendosën ta monitoronin situatën nga distanca.

Pak minuta më vonë, një person i dytë iu afrua automjetit, hipi për një ndalesë shumë të shkurtër dhe më pas u largua me shpejtësi, duke shtuar dyshimet e policisë.

Në atë moment, karabinierët ndërhynë dhe ndaluan të dy personat për kontroll. Gjatë verifikimeve, nervozizmi i tyre bëri që efektivët të kryenin një kontroll të imtësishëm të automjetit, ku gjetën dy kilogramë kokainë të fshehura brenda një qeseje.

Hetimet vijuan edhe në banesën e 58-vjeçarit italian, ku u sekuestruan rreth 37 mijë euro në para të gatshme, të cilat dyshohet se janë të ardhura nga aktiviteti i trafikimit të lëndëve narkotike.

Të gjitha provat materiale u sekuestruan dhe iu vunë në dispozicion të Prokurorisë së Veronës. Me urdhër të autoriteteve gjyqësore, 33-vjeçari shqiptar dhe 58-vjeçari italian u arrestuan dhe u dërguan në burgun Montorio, ku do të qëndrojnë në pritje të procedurave të mëtejshme ligjore.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit