Të diplomuarit shqiptarë fitojnë më pak se shumica e bashkëmoshatarëve në Europë, pavarësisht se arsimi i lartë mbetet një nga faktorët më të rëndësishëm për rritjen e të ardhurave. Shqipëria ka një nga hendekët më të mëdhenj në Europë mes arsimit të ulët dhe atij të lartë, por sërish renditet në fund për nivelin e përgjithshëm të pagave.
Të dhënat më të fundit nga Eurostat dhe raporti “Investing in Education 2025” i Komisionit Europian tregojnë se një person me diplomë universitare në Shqipëri fiton mesatarisht vetëm 4,348 euro në vit, duke e renditur vendin në fund të listës europiane, përkrah Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi. Për krahasim, një i diplomuar në Serbi fiton rreth 8,598 euro, gati dyfishin.
Nga ana tjetër, Shqipëria shfaq një diferencë të madhe të të ardhurave sipas nivelit të arsimit – një ndër më të lartat në Europë. Të diplomuarit fitojnë 108% më shumë se ata me arsim të ulët dhe 54% më shumë se ata me arsim të mesëm.
Në nivel europian, çdo vit shtesë i arsimit mund të rrisë të ardhurat me rreth 7%, sipas raportit të KE-së. Kjo mbështet trendin që diploma universitare mbetet një investim me kthim të konsiderueshëm, sidomos në vendet me tregje pune më të zhvilluara dhe paga më të larta.
Por në Shqipëri, kjo kthesë pozitive në të ardhura has një tavan të ulët. Edhe pse diploma universitare ndihmon ndjeshëm në rritjen e të ardhurave krahasuar me nivelet më të ulëta të arsimit, shuma absolute që një i diplomuar fiton mbetet shumë më e ulët se në pjesën më të madhe të Europës.
Vendet me më pak përfitim nga diploma universitare (në €): Shqipëri – 4,348, Maqedonia e Veriut – 4,919, Mali i Zi – 6,429, Turqi – 7,542 dhe Serbi – 8,598
Ndërkohë, në vende si Danimarka, Norvegjia apo Gjermania, të ardhurat neto vjetore për të diplomuarit shkojnë mbi 30,000 euro, me diferenca më të moderuara ndaj niveleve të tjera të arsimit.