Njëri "shofer" dhe tjetri me 2 armë me silenciator, kush e vrau "Tanin e Ruzhdiut" në Sarandë?

Njëri “shofer” dhe tjetri me 2 armë…

Artan Myrtaj, i njohur në Sarandë si “Tani i Ruzhdiut”, sapo kishte pirë një kafe në një lokal pranë kryqëzimit të ish-agjencisë, një prej zonave të populluara të qytetit, kur u ekzekutua më 20 shtator.

44-vjeçari kishte shkuar në lokal pasi ishte ftuar nga një mik, por qëndroi vetëm pak minuta. Teksa u ngrit dhe po largohej i qetë, një motor me dy persona, të dy me skafandra në kokë, iu afrua dhe autorët hapën menjëherë zjarr.

Plumbat e parë nuk e prekën Myrtajn. Ai tentoi të largohej me vrap, por vetëm pak metra më tutje breshëria e dytë e plumbave rezultoi fatale. Myrtaj u rrëzua i pajetë në rrugë, ndërsa autorët u larguan me shpejtësi.

Nga pamjet e kamerave të sigurisë, njëri prej autorëve është parë i veshur me xhup të gjelbër, pantallona të zeza dhe skafandër. Sipas të dhënave të hetimit, ai mbante dy armë. Fillimisht ka qëlluar me një pistoletë me silenciator, por pasi arma është bllokuar, ka përdorur pistoletën tjetër që mbante në dorën e djathtë.

Në këtë atentat u plagos edhe 73-vjeçari Xhevdet Skëndaj, i cili nuk kishte asnjë lidhje me viktimën. I moshuari po kalonte rastësisht në rrugë kur u qëllua me një plumb në shpinë. Ai u transportua me helikopter drejt Spitalit të Traumës në Tiranë.

Ajo që ngre pikëpyetje të forta është mënyra se si autorët mundën të largoheshin nga vendi i ngjarjes. Komisariati i Policisë së Sarandës ndodhet vetëm rreth 70 metra nga vendi ku ndodhi atentati, ndërsa sipas të dhënave, uniformave blu iu deshën rreth 10 minuta për të mbërritur në vendngjarje.

Në rrugë u gjetën disa gëzhoja të shpërndara, ndërsa autorët arritën të largoheshin pa u shqetësuar.

Pista kryesore e hetimit lidhet me një ngjarje kriminale të vitit të kaluar në Sarandë. Myrtaj kishte vetëm pak javë që ishte liruar nga burgu dhe ishte lënë në masën e detyrimit për paraqitje, pasi ishte arrestuar në korrik të vitit 2025 për përfshirjen e dyshuar në ngjarjen ku Ramadan Zoto plagosi dy të rinj nga Kamza, pas një konflikti për çështje pronësie në bregdet.

Pas kësaj ngjarjeje, Saranda u përfshi në një zinxhir përplasjesh kriminale. Më pas ndodhën shpërthimi me tritol i makinës së Klaus Jaçajt, vrasja e babait të tij, Isuf Jaçaj, si dhe djegia e lokalit që Ramadan Zoto kishte marrë me qira në Ksamil.

Policia ka marrë në pyetje mbi 30 persona në përpjekje për të zbardhur atentatin, por deri tani autorët vijojnë të jenë të paidentifikuar.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit