Nga Ministria e së Vërtetës.
Shqipëria ka hyrë zyrtarisht në një epokë të artë. Aq të artë, sa shqiptarët tashmë nuk largohen më nga vendi për një jetë më të mirë; përkundrazi, aeroporti i Rinasit po përballet me turma emigrantësh nga Gjermania, Zvicra dhe Britania që kërkojnë me çdo kusht të vijnë të jetojnë këtu.
Me Edi Ramën në krye të qeverisë, problemet që dikur mundonin shqiptarët janë zhdukur njëri pas tjetrit. Çmimet në supermarkete janë aq të ulëta sa qytetarët hyjnë për të blerë bukë dhe dalin me salmon, avokado dhe dy apartamente në Tiranë.
Pagat, ndërkohë, janë bërë aq të larta sa punonjësit kanë filluar t’u kërkojnë pronarëve që t’ua ulin pak, sepse nuk dinë më ku t’i çojnë paratë. Pensionistët janë në situatë edhe më të vështirë: pushime në Maldive në janar, Dubai në shkurt dhe Sarandë në verë, thjesht për nostalgji.
Edhe trafiku në Tiranë është kthyer në një kujtim të largët. Shoferët tani ankohen se mbërrijnë në destinacion shumë shpejt dhe nuk kanë më kohë të dëgjojnë deri në fund podcast-et gjatë rrugës.
Spitalet janë aq efikase sa pacientët, sapo hyjnë nga dera, pyeten nga mjekët: “Çfarë mund të bëjmë tjetër për ju sot?”. Ambulancat mbërrijnë përpara se qytetari të telefonojë urgjencën, ndërsa ilaçet falas janë bërë aq të shumta sa farmacitë po kërkojnë magazina shtesë.
Të rinjtë, nga ana tjetër, kanë harruar fare çfarë është emigrimi. Gjermania tashmë shihet vetëm si një destinacion interesant për fundjavë, sepse “pse të punosh atje kur Shqipëria të ofron paga zvicerane, çmime shqiptare dhe institucione skandinave?”.
Edhe fermerët po kalojnë ditët më të bukura të jetës së tyre. Prodhimet shiten menjëherë, subvencionet vijnë para se të aplikojnë dhe importet presin me respekt në kufi derisa të shitet domatja e fundit shqiptare.
Në administratë nuk ekziston më as korrupsioni. Madje fjala “mik” është hequr nga fjalori zyrtar, sepse çdo vend pune fitohet vetëm me meritë, ndërsa tenderët publikë janë aq transparentë sa qytetarët mund t’i shohin edhe nga Hëna.
Ndërtimet në Tiranë janë ndalur pothuajse plotësisht, pasi kryeqyteti tashmë ka më shumë parqe sesa pallate. Kullat e fundit janë kthyer në kopshte vertikale, ndërsa çmimet e apartamenteve kanë rënë aq shumë sa studentët blejnë garsoniere me lekët që u mbeten nga bursa.
Sigurisht, as energjia elektrike, uji, rrugët apo shërbimet publike nuk përbëjnë më shqetësim. Uji vjen 25 orë në ditë, energjia nuk ikën kurrë dhe çdo gropë në rrugë mbyllet aq shpejt sa asfaltuesit duhet të krijojnë vetë ndonjë gropë për të mos mbetur pa punë.
Burime imagjinare pranë qeverisë bëjnë me dije se po shqyrtohet mundësia që Shqipëria të eksportojë lumturi drejt vendeve nordike, pasi Danimarka dhe Finlanda kanë pranuar më në fund se nuk mund të konkurrojnë me standardin shqiptar.