“Më erdhi në majë të hundës”, Jonuz tregon arsyet e largimit nga Vllaznia: U lodha me kaq probleme

“Më erdhi në majë të hundës”, Jonuz…

Mirsad Jonuz largohet nga Vllaznia, pa u mbyllur mirë sezoni. Është vetë maqedonasi që konfirmon arsyet e “divorcit” të parakohshëm, në një kohë që ka mbetur edhe një fazë për t’u luajtur.

Në një intervistë të dhënë enkas për “Panorama Sport”, 58-vjeçari rrëfen se ishte lodhur nga hallet që kishte klubi dhe vendimin ua ka përcjellë drejtuesve me një email.

Problemet e vjetra financiare dhe organizative bënë që trajnerit t’i vinte në majë të hundës dhe të merrte këtë rrugë pa kthim.

Edhe pse është munduar që të tregohet i duruar dhe të paktën 10 herë ka bërë rolin e “katalizatorit” me lojtarët për krizën e pambarimtë të rrogave, me mbylljen e kontratës është dorëzuar.

E megjithatë, po ikën i qetë. Ai Vllazninë e quan të mbijetuar pas 27 javësh.

A është e vërtetë që keni vendosur të mos jeni më trajner i Vllaznisë?

Po, është e vërtetë. Ndaj i falënderoj të gjithë në Shkodër, Suad Licin dhe futbollistët e Vllaznisë. Tani unë kam disa miq të rinj në Shkodër dhe në Shqipëri. Jam i lodhur, duhet të më besoni.

Pse e latë Vllazninë pa mbaruar sezoni?

E lashë për arsye se çdo kohë kemi pasur probleme dhe vetëm probleme. Ato vetëm shtoheshin dhe nuk mund ta shtyja me gjëra të tilla çdo ditë. U lodha nga situata, më erdhi në majë të hundës.

Në mënyrë zyrtare lajmërova klubin për vendimin me anë të një e-mali. Administratori nuk flet anglisht dhe i dërgova një mesazh ku ishte edhe letra e largimit. Kam folur me ndihmëstrajnerët dhe me Gilman Likën dhe Renato Malotën. Ky ishte vendimi im final.

Pra, vendimi juaj është i panegociueshëm dhe pa kthim prapa?

Jo, nuk ka më asnjë diskutim pas këtij vendimi. E kam mbyllur përfundimisht.

E keni mbyllur vetëm me Vllazninë apo edhe me futbollin shqiptar?

E kam mbyllur me Vllazninë për këtë sezon, por nuk di të them diçka në lidhje me futbollin shqiptar. Ndoshta më vonë mund të kthehem sërish në Shqipëri si trajner. Kurrë nuk thuhet kurrë.

Cili ishte shkaku kryesor që ju detyroi të largoheni nga Vllaznia?

Ky ishte sezoni që kam pasur më shumë probleme në ushtrimin e detyrës time si trajner. Mbi 10 herë jam përballur me grevat dhe jam munduar të flas me lojtarët për situatën dhe për t’i bindur që të mos merrnin vendime ekstreme.

Ishin probleme të vjetra të klubit, ndaj tani ndihem shumë i lodhur nga ato situata. Çdo ditë flisnim për të njëjtat probleme financiare e organizimi. Gjithsesi, për mua ka qenë një sezon shumë i mirë te Vllaznia si në kampionat dhe Kupë. E quaj një sezon të sigurt për Vllazninë.

A nuk do të ishte më mirë që të rezistonit edhe pak dhe ta mbyllnit sezonin, në mënyrë që Vllaznia të mos rrezikojë?

Jo, jo. Ka mbaruar gjithçka. Vllaznia nuk rrezikon aspak, pasi është në pozicion shumë të mirë. Kemi zhvilluar ndeshje të mira për ta mbyllur pa probleme këtë sezon.

Ekipi nuk e rrezikon mbijetesën në Superiore dhe është në rrugën e duhur për të fituar edhe trofeun e Kupës. Jam i bindur që Vllaznia me këtë grup lojtarësh dhe trajnerin e ri do të shkojë edhe më lart.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit