Me fenelina policie dhe kallashnikov, grabitësit e ndjekin dhe i marrin Audi-n Q7, kosovarit

Me fenelina policie dhe kallashnikov, grabitësit e…

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së dielës në aksin rrugor Lezhë-Milot. 6 persona të armatosur me kallashnikov dhe me dy automjete, njëra prej të cilave e pajisur me fenolinë policie kanë grabitur një shtetas nga Kosova duke i grabitur atij automjetin “Audi Q7” me targa 04-599 FO.

Meriton Ahmetaj, 27 vjeç, nga fshati Korishë i komunes së Prizrenit ka rënë viktimë e grabitësve. Ai ka qenë duke u kthyer nga Mali i Zi, kur rreth orës 22:00 në Milot, dy automjete, njëra prej të cilave e pajisur me fenolinë policie i janë venë në ndjekje.

Drejtuesi i automjetit ka kujtuar se janë punonjës policie dhe ka ulur shpejtësinë në 60 km/h. Ndërkohë që kur ka vënë re se automjeti me fenolinë policie po i qëndronte prapa, ai ka rrit shpejtësinë deri në 80 km/h për të vazhduar rrugën normalisht.

Në këtë moment njëra prej automjeteve e ka parakaluar ‘Audi-n Q7’ me të cilën udhëtonte shtetasi nga Kosova duke i bllokuar rrugën, ndërkohë që automjeti tjetër ka qëndruar prapa.

Personat e armatosur me kallashnikov i kanë bërë thirrje drejtuesit të mjetit të dorëzojë automjetin, përndryshe do ta vrisnin.

Drejtuesi i automjetit nuk ka rezistuar dhe u ka dorëzuar automjetin grabitësve. Ai ka denoncuar grabitjen në komisariatin e policisë Laç.

Forca të policisë së këtij komisariati janë vënë në ndjekje të grabitësve, por pa mundur që të kapin apo identifikojnë autorët. 

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit