"Më gjeni një çadër me lekë", shqiptari ironizon Ramën nga Palma de Mallorca

“Më gjeni një çadër me lekë”, shqiptari…

Një shqiptar që po kalon pushimet në Palma de Mallorca ka dërguar pranë redaksisë sonë një video, përmes së cilës krahason realitetin e plazheve në Spanjë me atë që ndodh në Shqipëri.

Në pamje shihet një vijë e gjatë bregdetare, pa rreshta shezlongësh që zënë hapësirën publike. Pushuesit kanë zgjedhur të vendosin çadrat dhe peshqirët e tyre në rërë, duke shfrytëzuar lirshëm plazhin, pa qenë të detyruar të paguajnë për një vend.

Me nota ironie, qytetari i drejtohet kryeministrit Edi Rama duke thënë se po kërkon një çadër me pagesë, por nuk gjen asnjë. Përmes këtij mesazhi ai vë në dukje kontrastin mes plazheve të Palma de Mallorca-s dhe shumë zonave bregdetare në Shqipëri, ku sipas tij hapësirat publike janë zaptuar pothuajse tërësisht nga shezlongët privatë.

Denoncimi rikthen në vëmendje një problem të ngritur prej vitesh nga pushuesit shqiptarë, të cilët ankohen se në shumë plazhe të vendit është gjithnjë e më e vështirë të gjesh një hapësirë publike ku të vendosësh çadrën personale. Në jo pak raste, vijat bregdetare dominohen nga biznese private që shtrijnë shezlongët në pjesën më të madhe të rërës, duke kufizuar aksesin e lirë të qytetarëve.

Videoja e dërguar nga Palma de Mallorca shërben si një krahasim mes dy modeleve të menaxhimit të plazheve dhe ngre edhe një herë debatin mbi nevojën për garantimin e hapësirave publike në bregdetin shqiptar, në mënyrë që çdo qytetar të ketë mundësi të shijojë detin pa u detyruar të paguajë për një vend në rërë.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit