“Më grisën bluzën dhe rashë përtokë”, besimtarja tregon si i rezistoi terrorit të policëve për të mos prishur agjërimin

“Më grisën bluzën dhe rashë përtokë”, besimtarja…

Rrëfehet për “Shekulli”-n Smeralda Çaça besimtarja myslimane që u përballë me policinë nga momenti i shembjes së teatrit deri në komisariat. Dhuna fizike dhe verbale e policisë dhe ofendimet e tyre mbi besimin e këtij komunitetit

Enida Vërça

Fotoja e Smeralda Çaçës, besimtares myslimane e cila u përplasë me policinë dhe përfundoi në Komisariat për shumë orë, ditën e prishjes së Teatrit Kombëtar, ka zënë një vëmendje të madhe. Reagimi i saj, pushtoi edhe mediat ndërkombëtare, të cilat i kushtuan një hapësirë të gjerë mënyrës tinëzare të prishjes së teatrit në orët e para të mëngjesit të 17 majit. Çaça rrëfen për “Shekulli”-n se si u përplasë me policinë, si këta të fundit e ofenduan, duke dyshuar në besimin e saj dhe si ajo, edhe pse në një presion të madh, nuk e prishi agjërimi. Si fillim besimtarja tregon se si e mori vesh që teatri u prish.
Unë isha një natë para se teatrit të shembej, sepse kishim marrë njoftime që do të ndodhte diçka. Qëndrestarët shpresonin që duke qenë të ngujuar, nuk do të ekzekutohej një veprim i tillë, me njerëzit brenda. Informacionet ishin që sulmi do të ndodhte nga momenti në moment dhe ndodhi. Një natë më parë unë kisha ikur në shtëpi dhe kisha bërë plan që të dielën të flija aty. Diçka që nuk ndodhi më. Në orën 7 të së dielës, po lexoja informacione që teatri ishte shembur. Nuk doja ta besoja. U bë gjithë ajo rezistencë dhe në fund u shemb. Ishte një ndjesi që unë nuk e përshkruaj dot. Po ndihesha bosh, keq me dhimbje të madhe. Në atë moment kam dalë me shpejtësi nga shtëpia për të parë nga afër çfarë po ndodhte, akoma nuk doja ta besoja që kjo gjë kishte ndodhur”, tregon ajo.

Sakrifica

E reja thotë se ka ecur për më shumë se një orë në këmbë, për të qenë pranë protestës në momentin që teatri ishte shembur dhe rezistenca e artistëve vazhdonte. “Kam ecur në këmbë me një frymë për të parë nga afër, se si një sakrificë e madhe, u shemb për 20 sekonda. Kur shkova dhe pashë që kishte rënë, mbeta pa fjalë. Më pas solla ndërmend të gjithë momente e bukura tek sheshi, çdo përjetimi që kaluam aty bashkë. U bëra nostalgjike dhe më pas nisa të protestoja u bëra njësh me trumën duke thirrur: Përse? Më vinte kaq inat, që shteti ynë të shtyp si miza dhe nuk do t’ia dijë se si reagon ti. Janë njerëz pa skrupuj, të cilët e hodhën në shesh gjithë mundin”, rrëfen e reja.

Përplasja

Ashtu si artistët, qytetarët e thjeshtë, gazetarët, policia nuk kurseu as Smeraldën e cila ishte me agjërim dhe pavarësisht provokimeve, nuk e prishi atë. “Bashkë me turmën u shpërngulëm tek pedonalja, pasi aty na u dukë më i dobët kordoni i policisë për të depërtuar. Ne kërkonim që policia të na lejonte të hynim brenda, por ata kishin marrë urdhra dhe nuk e lejonin diçka të tillë.  Pati konfrontime fizike, djemtë u tërhoqën zvarrë. Në atë moment më grisën edhe bluzën, duke më larguar”, thotë ajo. Në këto momente, dhimbja fizike e kishte kaluar atë shpirtërore. “Po ndihesha e dobët dhe kisha nevojë për ajër. Godina e dytë nuk ishte shembur ende dhe po ecja me shpresën se nuk do të përsëritje veprimi siç ndodhi tek e para. Pati një revoltë nga disa gra protestuese kur policia po më kapte nga krahët duke më tërhequr, duke u thënë se isha me agjërim. Nuk po merrja dot frymë. U ula në tokë dhe disa policë urdhëruan që të vinin të më merrnin për të më çuar në komisariat”.

 Akuzat

Pas kësaj, Çaça thotë se shkoi në komisariat, ku qëndroi me orë të tëra duke dëgjuar presionet dhe ofendimet e policisë. “Në komisariat më morën për shkelje të masave administrative. Më morën të gjitha të dhënat dhe më mbajtën disa orë në një dhomë policie. Aty pashë edhe protestues të tjerë që ishin vrarë, iu kishin grisur rrobat. Më pas bëra deklaratën se përse isha në protestën. Unë nuk e prisha agjërim edhe pse ofenduan. Shumë policë më thanë pse isha në protestë për shkak të muajit Ramazan. Iu shpjegova që në asnjë fe, nuk ndalohet që njerëzit të mbrojnë institucionet publike kur i vjedhin dhe shkatërrojnë. Për inatin e tyre nuk e prisha agjërimin. Më thahej goja nga ajo që fola shumë dhe në një moment kërkova që t’i hedhë një ujë syve dhe gojës. Një police më tha: Si nuk të vjen turp, bën sikur je me agjërim dhe kërkon të shpërlash gojën. Në fakt në fenë tonë edhe kur marrim avdes e shpërlajmë gojën, por nuk e kalojmë atë poshtë”, sqaron Çaça.  Në fund të fjalës së saj, ajo thotë se do të jetë deri në fund pjesë e kauzës së teatrit, pasi është një kauzë e drejtë dhe njerëzit duhet të protestojnë për të mbrojtur kulturën e një vendi. “Në atë vend janë kujtimet e mia më të bukura. Si të mos e mbroj një kauzë të tillë?”

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit