"Më jep lekët ose të vras", agjenti i XUEX zbërthehet para profesorit: Ka humbur 10 mijë $, m'i kërkon mua

“Më jep lekët ose të vras”, agjenti…

Një prej pjesëtarëve të skemës mashtruese XUEX, Marius Kodra, 28 vjeç, nga Tirana, tashmë i arrestuar, ka dëshmuar për frikën që po përjetonte pasi një prej investitorëve që kishte rekrutuar, kishte humbur 10 mijë dollarë dhe e kërcënonte me jetë.

Në dosjen hetimore, zbulohet se më 30 gusht 2025, përmes një bisede në aplikacionin “Telegram” me kontaktin “Leo Smith”, një shtetas i huaj që dyshohet të jetë organizatori i skemës nga Britania, Marius Kodra i lutet për ndihmë, pasi ndodhej nën presion të madh nga investitorët që nuk po merrnin fitimet e premtuara.

Një anëtar i ri futi 10 mijë dollarë dhe më kërcënon me jetën nëse nuk i kthehen lekët,” shkruan ai.

Nga zbardhja e bisedave në dosjen hetimore, “Leo Smith” përpiqet ta qetësojë Kodrën edhe pse komunikimi i tij në shqip duket qartazi i përkthyer automatikisht, ndoshta përmes “Google Translate” apo “ChatGPT”.

Pavarësisht garancive, Kodra i shprehet se po përballet me presion dhe frikë serioze nga familjarët e investitorit, të cilët kërkonin me çdo kusht kthimin e parave.

Marius Kodra: Të kuptoj shumë qartë, por shumica janë frikësuar dhe po më kërcënojnë mua.

Leo Smith: Me çfarë po të kërcënojnë?

Marius Kodra: Po më kërcënon: Ose ti jap lekët, ose do të të vras!

Leo Smith: A është ky anëtar i grupit tuaj?

Marius Kodra: Po, është shumë i agravuar. Edhe pse ia kam sqaruar problemin për momentin, më kërkon lekët mua.

Leo Smith: Kërkoji të presë me durim, nuk janë paratë që humbasin, është vetëm vonesa në pagesë.

Kodra ka deklaruar para hetuesve se me skemën XUEX u njoh në nëntor 2024 përmes një reklame në Instagram, e cila e çoi në aplikacionin Telegram dhe më pas në grupin “EG Albania Team”. Ai thotë se nuk investoi fillimisht më shumë se 400 dollarë, por me kalimin e kohës, pasi iu premtuan fitime deri në 50 mijë dollarë brenda vitit, ai nisi të bindte të tjerë persona që të investonin në skemë. Investimi fillestar u krye në Prizren, në një pikë këmbimi valutor ku u ble kriptomonedha UTDT, pasi në Shqipëri ky transaksion nuk ishte i mundur. Me ndihmën e “Leo Smith”, ai hapi llogarinë në XUEX dhe nisi të ndjekë “sinjalet” për investime, me bindjen se po ndërtonte një të ardhme financiare.

Rasti i Marius Kodrës është vetëm një nga shumë dosje që autoritetet po hetojnë, kryesisht në qytetet Lushnjë, Divjakë, Tiranë dhe Prizren, ku qindra qytetarë janë mashtruar me premtimin për fitime marramendëse nga një investim minimal.

Skema XUEX po rezulton të jetë një nga mashtrimet më të mëdha financiare në Shqipëri vitet e fundit. Deri tani janë arrestuar 6 persona dhe janë shpallur në kërkim dy të tjerë, ndërsa qindra shqiptarë kanë humbur paratë dhe kursimet e tyre përmes këtyre platformave të paautorizuara dhe pa licencë.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit