“Më kanë marrë 730 mijë paund”/ Buzi flet me lot në sy ndërsa vijon arratinë pas vrasjes në Roskovec

“Më kanë marrë 730 mijë paund”/ Buzi…

Nertil Buzi, autori i dyshuar i ngjarjes së rëndë në fshatin Vidhisht të Roskovecit, vijon të jetë në arrati, ndërsa nga vendi ku dyshohet se është fshehur ka deklaruar pretendimet e tij për një konflikt financiar me familjarët e ish-partneres.

35-vjeçari, i cili dyshohet se është i armatosur me një armë gjahu, është shfaqur i përlotur në një video ku pretendon se ka humbur një shumë prej 730 mijë paundësh dhe fajëson familjen e ish-të fejuarës për këtë situatë.

“Ata ma kanë bërë, më kanë marrë 730 mijë paund”, mësohet të jetë shprehur Buzi gjatë komunikimit të tij.

Këto pretendime vijnë pak orë pas ngjarjes së rëndë që tronditi Roskovecin, ku 35-vjeçari dyshohet se shkoi në banesën e familjes së ish-partneres dhe qëlloi me armë zjarri ndaj ish-vjehrrit të tij, Arben Plaka, 55 vjeç, i cili humbi jetën. Nga të shtënat mbeti e plagosur edhe ish-vjehrra e tij, Belere Plaka.

Pas krimit, Buzi u largua nga vendngjarja duke marrë me vete edhe ish-partneren e tij. Pas disa orësh tensioni dhe negociatash me forcat e policisë, 24-vjeçarja u la e lirë, ndërsa operacioni për kapjen e autorit vijon ende.

Forca të shumta policie janë angazhuar në kërkimet për 35-vjeçarin. Në terren ndodhen efektivë të Forcës së Posaçme Operacionale, RENEA-s, FNSH-së dhe strukturave të Policisë së Fierit, të cilët po kontrollojnë zonën e Çervenit, në kufi me Mallakastrën, pranë fshatit Drenie, ku dyshohet se mund të jetë fshehur autori.

Kontrollet po kryhen si nga toka, ashtu edhe me ndihmën e dronëve nga ajri, ndërsa policia vijon ndjekjen intensive për lokalizimin dhe arrestimin e tij.

Autoritetet kanë kërkuar edhe ndihmën e banorëve të zonës, duke bërë apel që çdo informacion mbi vendndodhjen e 35-vjeçarit të raportohet menjëherë pranë strukturave të rendit.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit