Një qytetar nga Tirana ka denoncuar në redaksinë tonë një situatë të papranueshme dhe arbitrare të ndodhur në zonën e Yzberishtit, te kompleksi Grand Galeria.
Sipas denoncimit, një automjet ka bllokuar prej 4 ditësh vendin e parkimit privat në katin -2, duke i sjellë dëm dhe bllokim total pronarit të ligjshëm.
Bllokimi i pronës private po i shkakton probleme serioze qytetarit, i cili shprehet se parkimet në katin -2 janë private dhe secili banor ka vendin e tij të përcaktuar. Ai zotëron dy vende parkimi, por për shkak të këtij bllokimi, nuk mund të lëvizë as mjetin tjetër dhe as të parkojë normalisht, duke e lënë në pamundësi totale përdorimi të pronës së tij.
Përballë kësaj situate, qytetari ka kërkuar ndihmën e autoriteteve, por është përplasur me një burokraci dhe shmangie përgjegjësie. Policia e Shtetit i thotë të drejtohet te Bashkia pasi bëhet fjalë për pronë private, ndërsa Bashkia ia hedh sërish topin Policisë, duke e lënë qytetarin të pafuqishëm përballë një abuzimi flagrant.
Apeli i qytetarit: “I bëj thirrje drejtuesit të mjetit që ta lëvizë menjëherë automjetin dhe u bëj thirrje autoriteteve të marrin masa, pasi prona private dhe liria e lëvizjes po shkelen hapur ndërkohë që institucionet ia kalojnë topin njëra-tjetrës.”