“Më kërkuan 100 euro borxh, pastaj më bënë bllok”, i riu tregon si çifti shqiptar i bëri “golin” në aeroport

“Më kërkuan 100 euro borxh, pastaj më…

Një gjest solidariteti mes bashkëkombësish në një aeroport të huaj është kthyer në një përvojë të pakëndshme për një qytetar shqiptar, i cili thotë se është mashtruar nga një çift bashkëatdhetarësh.

Në një denoncim të mbërritur në redaksinë e JOQ Albania, ai tregon se të premten, më 13 nëntor, teksa ndodhej në aeroportin e Bergamos për t’u kthyer në Shqipëri, ka takuar një çift shqiptarësh që u kërkonte ndihmë.

Sipas tij, çifti u kishte treguar se kishte nevojë për 100 euro për të kryer check-in-in dhe u ishte lutur t’ua jepnin, me premtimin se paratë do t’ua kthente sapo të mbërrinin në Tiranë.

Duke parë bashkëkombës në vështirësi, i riu thotë se vendosi t’i ndihmonte, duke besuar te fjala e tyre. Por, sipas denoncimit, sapo u larguan, çifti i ka bllokuar në WhatsApp, duke ndërprerë çdo mundësi komunikimi.

Ai i ka dërguar redaksisë edhe fotografinë e çiftit, si dhe pamjen e bisedës në WhatsApp ku shfaqet bllokimi.

Është vërtet e turpshme që dikush të shfrytëzojë besimin dhe solidaritetin e bashkëkombësve në këtë mënyrë. Qytetari u zgjati dorën dy shqiptarëve që pretendonin se kishin nevojë për ndihmë, por sipas denoncimit, në këmbim mori një bllokim në WhatsApp dhe asnjë gjurmë të parave të dhëna.

Denoncuesi u bën thirrje shqiptarëve që udhëtojnë nga aeroporti i Bergamos të tregojnë kujdes dhe të mos bien pre e rasteve të ngjashme.

Mesazhi i plotë i qytetarit për JOQ Albania:

“Përshëndetje, doja të bëja një denoncim! Ditën e premte, më datë 13 nëntor, ishim në aeroportin e Bergamos duke u kthyer për në Shqipëri. Hasëm një çift shqiptarësh që kishin nevojë për 100 euro për të bërë check-in-in. Po na luteshin dhe, normalisht, si bashkëatdhetarë, i ndihmuam me idenë se do të na i kthenin në Tiranë. Në momentin që u larguam, na vendosën bllok. Është qesharake si situatë! U bëj thirrje të gjithë personave që nisen nga Bergamo, sepse ka edhe mashtrues të tillë!”

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit