Një apel urgjent për ndihmë ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania nga një grua, e cila kërkon mbështetjen e shqiptarëve për bashkëshortin e saj, Florand Karati, i cili ndodhet i shtruar në QSUT në gjendje të rëndë shëndetësore.
Në një video të dërguar në redaksi, Violeta Karati tregon se bashkëshorti i saj është diagnostikuar me tumor në tru të stadit të katërt dhe se pas ndërhyrjes së parë kirurgjikale gjendja e tij është përkeqësuar.
Sipas saj, rreth dy muaj më parë ai iu nënshtrua një operacioni, ndërsa vetëm pak ditë më vonë nisën komplikimet. Më pas, ai ka kryer edhe dy ndërhyrje të tjera në kokë, por gjendja e tij vijon të jetë tepër e rënduar.
“Është në gjendje thuajse kome, është i paralizuar, nuk flet dhe nuk reagon”, shprehet Violeta, e cila me lot në sy u bën apel shqiptarëve ta ndihmojnë me aq sa kanë mundësi.
Familja po përballet edhe me vështirësi të mëdha financiare. Sipas të afërmve, bashkëshorti i Violetës ishte personi që siguronte të ardhurat kryesore të familjes, ndërsa ajo nuk mund të punojë pasi po qëndron pranë tij gjatë trajtimit.
Përveç shpenzimeve të trajtimit, familja ka nevojë për ndihmë edhe për nevojat e përditshme të pacientit, përfshirë ilaçe, pampersa dhe materiale të tjera të domosdoshme.
Të afërmit shpresojnë që, përmes mbështetjes së shqiptarëve, të mund të sigurojnë fondet e nevojshme për vijimin e trajtimit dhe, nëse do të jetë e mundur, për ta dërguar atë jashtë vendit për një trajtim më të specializuar.
Çdo ndihmë, sado e vogël, mund të jetë një lehtësim për këtë familje në një prej periudhave më të vështira të jetës së saj.
Ata që dëshirojnë ta ndihmojnë Violetën dhe bashkëshortin e saj mund ta bëjnë këtë përmes fushatës së mbledhjes së fondeve të hapur nga familja.