Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me ngjarjen e rëndë në Tiranë, ku efektivi i policisë Erjon Goxhara plagosi punonjësin e ERE-s, Lorenc Kosta.
Sipas dëshmisë së dhënë nga i biri i Goxharës, menjëherë pas incidentit, rreth orës 14:35 të 19 gushtit, Goxhara e kontaktoi djalin e tij për t’i treguar se kishte plagosur Kostën dhe i kërkoi të takoheshin te rrethi i Shkozës.
Pas takimit, Goxhara dhe i biri morën një taksi drejt zonës së Freskut. Kur mbërritën në zonën e Thesarit të Shtetit në Dajt, ata zbritën nga taksia dhe efektivi i kërkoi të birit ta ndiqte. Në atë moment, dy policë civilë iu afruan Goxharës dhe e thirrën me emër, por ai arriti të largohej me vrap mes pallateve, duke u shprehur: “Më mirë vras veten sesa të kalbem në burg”.
“Rreth orës 14:35 më ka marrë në telefon babai im dhe më ka thënë se kishte plagosur Lorencin me armë. Unë e kam pyetur i revoltuar se përse e bëri. Pas kësaj telefonate më ka marrë sërish dhe më ka thënë që të dilja te rrethi i Shkozës pasi do të shkonim në zonën e Freskut. Unë kam dalë në vendin ku më tha ta prisja. Pasi babi ka ardhur te rrethi i Shkozës në këmbë, ne kemi marrë një taksi dhe jemi nisur për në zonën e Freskut.
Sapo kemi mbërritur te zona e Thesarit të Shtetit, kemi zbritur të dy nga taksia dhe shoferit të taksisë i tha të priste kurse mua më tha që ta ndiqja. Menjëherë në këtë moment sapo kemi zbritur na janë afruar 2 punonjës policie të veshur civil të cilët e kanë thirrur në emër babain tim dhe ai sapo i pa u largua me vrap mes pallateve duke u thënë këtyre personave që më mirë vras veten sesa të kalbem në burg”
Kjo dëshmi e djalit të tij ka ndihmuar hetuesit të zbardhin lëvizjet e Goxharës pas plagosjes dhe momentet kur ai arriti t’u largohet autoriteteve.
Policia vijon kërkimet për kapjen e tij dhe ka vënë 10 mijë euro në dispozicion për këdo që jep informacione të vlefshme për arrestimin e tij.