Me pranga këmbë e duar në Rinas, Policia: “S’janë të huaj, s’është burg, është Gjadri!”

Me pranga këmbë e duar në Rinas,…

Pamjet e publikuara në media nga aeroporti i Rinasit, ku disa persona me ngjyrë shihen duke zbritur nga avioni me pranga në duar e madje edhe në këmbë, kanë marrë një përgjigje nga policia që vështirë se mund të merret seriozisht nga publiku.

Përballë alarmeve se po sjellin të huaj për t’i mbyllur në Shqipëri, zyrtari i Policisë së Shtetit, Albert Nushi, doli me një sqarim ku, përmes një “akrobacie gjuhësore”, u përpoq të bindë qytetarët se ajo që shohin me sytë e tyre nuk është ajo që duket.

“Lidhur me pamjet e publikuara nga Rinasi, ku pretendohet se shtetas të huaj sillen në Shqipëri, për t’u mbajtur në burg, sqarojmë se këto pretendime janë të pavërteta. Bëhet fjalë për shtetas që transportohen nga Italia drejt Gjadrit, në qendrën e pritjes për emigrantët e paligjshëm,” – deklaroi Nushi.

Gjuhë e re për një realitet me pranga

Deklarata e policisë duket se ka krijuar një fjalor të ri zyrtar për të zbukuruar pamjet e rënda:

  • S’janë “të huaj”, janë thjesht”shtetas”: Policia harroi të përmendë se nga cili shtet janë, duke fshirë termin “të huaj” për ta bërë ngjarjen të duket sa më neutrale.

  • S’është “burg”, është “qendër pritjeje”: Ndonëse personat e filmuar zbresin me pranga në këmbë e duar dhe nuk kanë asnjë liri lëvizjeje, sipas policisë ata nuk po burgosen, thjesht po u bëhet “pritja” drejt Gjadrit.

  • S’është “Shqipëri”, është “Gjadër”: Duke e specifikuar se po shkojnë në Gjadër, linja zyrtare përpiqet të krijojë përshtypjen se ky territor i dhënë me qira nuk hyn te pretendimi se “po sillen në Shqipëri”.

Në fund të ditës, pamjet e avionit të kompanisë “Trade Air” tregojnë qartë njerëz të prangosur nën masa të rrepta sigurie. Por sipas logjikës zyrtare të policisë, problemi nuk janë prangat në këmbë, por fjalët që përdor populli për t’i përshkruar ato.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit