"Më qan syri e shpirti për vogëlushin, por mos e kërkoni shpëtimin tek dënimi me vdekje"

“Më qan syri e shpirti për vogëlushin,…

Armir Shkurti:

Kujtdo prej nesh i vjen vetvetiu ta mbysë me torturat më çnjerëzore dhe lëngatat më afatgjata vrasësin e fëmijës.

Por, sa herë ndodhin krime të tilla pushteti ( cilido qoftë ai ) duhet të dalë e të kërkojë ndjesë! Së pari, që nuk e parandaloi, së dyti, sepse nuk ia ka dalë të ndërtojë një sistem ku njerëzit me probleme të kenë trajtim dhe vëmendje të posaçme.

Nuk do shkruaja gjë, në fakt, nëse kryeministri sot nuk do të na e kishte quajtur dënimin me vdekje “çështje civilizimi”. Civilizimi nis me kujdesin e posaçëm dhe edukimin e fëmijës. Vrasësi i 8 vjeçarit në Fier qenka rritur jetim dhe paskësh jetuar në mjerim. Është e natyrshme që kush ka pësuar dhunë, dhunë do prodhojë.

Në ditë si kjo, në vend të paradave me lot dhe deklarata duhet reflektim. Sistemi ka vrarë humanizmin e ka promovuar cinizmin. Ka larguar përgjegjësitë nga vetja e toleruar dhunën, si darvinizëm social. Më i forti fiton.

Shihni pak sëmundjet psiqike dhe mendore. Sistemi i trajton njëllojë si sëmundjet e veshkave a tëmthit. Po të dhëmbi shkp vet tek mjeku. Po a oranon një paranoiak a skizofren që është i sëmurë?

Nejse! Më qan syri e shpirt për vogëlushin e vrarë dhe familjen që mbeti me plagë të pashërueshme. Por mos e kërkoni tek dënimi me vdekje shpëtimin. Kërkojeni tek dashuria, njerëzillëku dhe kthimin e shtetit nga sundimtar në shërbëtorin tonë.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit