
Lear Kurti ka humbur jetën mbrëmjen e 19 tetorit pas shoqërimit në komisariatin e policisë. Sipas ekspertizës ligjore paraprake 32-vjeçar ka gjetur vdekjen pasi ka gëlltitur kokainë. Sipas policisë, të riut i doli shkumë nga goja teksa ndodhej në komisariatin e policisë.
Lidhur me këtë ngjarje janë marrë në pyetje edhe punonjësit e policisë së komisariatit Nr.3 në Tiranë, mes të cilëve dhe polici 21-vjeçar që bëri ndalimin e Kurtit.
Ai ka treguar se ishin me makinë duke patrulluar, kur në rrugën “Don Bosko” ka vënë re Lear Kurtin teksa bënte disa veprime të dyshimta.
Teksa Kurti është afruar punonjësi i policisë i ka kërkuar kartën e identitetit, por ai nuk e ka pasur.
Polici 21-vjeçar e ka pyetur nëse kishte sende të paligjshme apo duhet ta kontrollonin. Në këtë moment Kurti është larguar me vrap, duke ju shmangur verifikimit policor.
Pasi policia e arrestoi Kurti ka shfaqur gjendje të fikëti dhe vështirësi në frymëmarrje. Pasi ka ardhur në vete, një patrullë tjetër policie ka mbërritur në zonë ku u kap Kurti, duke e marrë këtë të fundit dhe transportuar në drejtim të komisariatit Nr.3.
Për shkak të gjendjes së rëndë të Lear Kurtit, në spital ka përfunduar dhe punonjësi i policisë që ka bërë arrestimin e tij. Polici pasi është njohur me gjendjen jo të mirë të Kurtit dhe humbjes së jetës së tij, ka pësuar shok psikologjik duke bërë që të humbte për një moment ndjenjat.