Një ngjarje skandaloze ka ndodhur në shkollën 9-vjeçare “Hajdaran”në Elbasan, ku mësuesi i ka kërkuar nxënëses numrin në “Facebook” që të komunikojnë.
Mësuesi i historisë, Fatjon Bumçi, i ka kërkuar nxënëses numrin e telefonit që të flisnin së bashku.
“Uroj të jesh mirë. Të falënderoj që e pranove ftesën time. Nëse dëshiron më shkruaj numrin tënd të telefonit dhe të jap numrin tim. Respekte mësues Fatjoni”, ka shkruar ai në mesazhin në “Facebook”. Kurse nxënësja e ka pyetur: “Për çfarë e do numrin tim?”.
Bumçi ka vazhduar më tej duke i thënë se mund të flasin ndonjëherë dhe kur ka parë përgjigjet e prera të vajzës është tërhequr.
“Jam njeri që sillem mirë me të gjithë. Nuk ofendoj njeri. Desha thjesht të të përshëndes. Nuk ka asgjë për tu shqetësuar as ti as familja jote. Do tërhiqem unë. Ky gabim nuk përsëritet”, ka përfunduar ai, mirëpo mësohet se kjo gjë ka ndodhur edhe një vit më parë, me një nxënëse tjetër, por është kaluar në heshtje.
Një nga mësuesit e shkollës, Ermali, është shprehur se edhe ky rast do të kalonte në heshtje, po të mos ishte për të që të bënte denoncimin. Gjest ky i fundit që ka shtyrë drejtoreshën e shkollës ta sulmojë.
Pas kësaj situate drejtoresha e shkollës e ka vlerësuar dosjen e tij me “dobët”, ndërkohë që për 10 vite e njëjta dosje është vlerësuar me “shumë mirë”.
Ai shprehet se nuk po merret asnjë masë për drejtoreshën e shkollës ndonëse ai së bashku me stafin e shkollën kanë bërë një peticion kundër saj. Për të mos mjaftuar, mësuesi në hetim dhe i pezulluar vjen në shkollë dhe është përfshirë edhe në përgatitjet për nisjen e vitit të ri akademik.
Bumçi pranon se veprimi i tij ishte në moment dobësie dhe nuk e arsyeton dot.
Gjithashtu pranon se ka shkuar në shkollë, ndonëse drejtpresha e mohon.
Zyra Vendore Arsimore Elbasan nuk ka qenë në dijeni të kësaj dhe sqaron se mësuesi nuk duhet të hyjë në ambientet e shkollës deri në vendimin e Prokurorisë.