'Me të ardh' dikush me të prish dasmën...'/ Kryebashkiaku socialist sulmon ministrin Lleshaj dhe i kujton Kanunin...

‘Me të ardh’ dikush me të prish…

Dasma është një prej ritualeve më të forta dhe më kryesore të familjeve shqiptare, e trashëguar në shekuj.

Janë pikërisht ritualet e saj të shenjta që mbrohen me ligj por edhe me të drejtë zakonore ose Kanun, e mbi to nuk shkelet kollaj, pasi e paguan shtrenjtë…

Pikërisht kjo duket se ka qenë edhe arsyeja që ka zemëruar kryebashkiakun socialist të Lezhës, ish-deputetin Pjerin Ndeu, me ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj.

Ndreu është bashkuar me shqetësimet në rritje të bashkëqytetarëve të tij, një herësh edhe pronarë të lokaleve të dasmave në Lezhë, duke i kujtuar ministrit Lleshaj si verior, edhe zakonet e të parëve.

Ishin pikërisht pronarët e dhjetra lokaleve në Lezhë, të cilët një ditë më parë protestuan për situatën e krijuar nga mos lejimi i ushtrimit të aktivitetit të dasmave.

Kryebashkiaku Ndreu, ngiti pretendimin se në qytetin e tij, është bërë një ndalim selektiv i ceremonive martesore.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, ai bën thirrje që ndalimi, përcaktuar me akt normativ për shkak të koronavirusit, të jetë njësoj për të gjithë.

Ja statusi i plotë i Kryebashkiakut të Lezhës, Pjerin Ndreu:

“Jam pro shqetësimit të pronarëve të lokaleve të dasmave në Lezhë. Që ka diskriminim me qytetet e tjera është krejt e qartë.

Gjithkush e di se dasmat ne Shkodër, Tiranë, Durrës, Vlorë etj. nuk i ndalon askush. Shqetësimi ynë është adresuar disa herë. Dikush do dalë të thotë se Akti Normativ thotë këtë dhe atë.

Po dakord, po njëlloj për të gjithë. Ose nje protokoll me numër të limituar pjesëmarrësish, sepse është shumë e rëndë t’i ndalosh dasmën tjetrit.

Ata që i shkruajnë ca gjëra si duket se kanë haberin se ca dmth me të prishë dasmën…”.

Kujtojmë se Ndreu pati një përplasje me ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj, disa javë më herët në lidhje me sezonin turistik dhe marrjen e masave nga policia.

Ndreu tha se, policia duhet të vërë në dijeni edhe bashkinë për lokalet që prishen, ndërsa Lleshaj tha se, kishte shumë gjëra për Ndreun që do të preferonte t’i thoshte jashtë kamerave.

Krisja është zyrtare, dhe pritet të shihet sesi dy të besuarit e Ramës, do të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin në zgjedhjet e vitit 2021, ku Lleshaj është edhe i deleguari i PS-së në Lezhë.

/Gazetaatdheu.com/

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit