TIRANË– Gentian Çaka, ish-anëtari i “Hakmarrjes për Drejtësi”, i cili është dënuar me 17 vite burg, është kapur me telefon brenda qelisë së tij në Peqin. Për shkelje, ai është marrë i pandehur dhe akuzohet nga Prokuroria për akuzën e “Futjes së telefonit në ambjentet e vuajtjes së dënimit”.
Gazetari Elton Qyno bën me dije se Çaka është marrë si i pandehur nga Prokuroria e Elbasanit, pasi kjo e fundit ka administruar një material hetimor prej policisë së burgjeve, të cilët edhe gjetën celularin në qeli. Gjithçka nisi prej një kontrolli blic të kryer nga Policia e Burgjeve, në dhomën ku vuan dënimin Gentian Çaka, ku edhe u gjet telefoni bashkë me aksesorët përkatës. I dënuari do përballet në Gjykatën e Elbasanit me akuzën dhe rrezikon që dënimit të tij t’i shtohen edhe 1 deri në 3 vjet heqje lirie.
Gentian Çaka është i vetmi nga ish-anëtarët e të ashtuquajturës “Hakmarja për drejtësi”, që ndodhet në burg pasi ka një dënim me 17 vjet, pasi u arrestua nga forcat RENEA në vitin 2015. Ndërkohë që pjesë e tjerët e grupit u deklaruan të pafajshëm nga Gjykata e Apelit, asokohe pjesë e asaj të Krimeve të Rënda, e cila sot është shkrirë si institucion.