Mungesa e vendeve të posaçme për parkim shpesh shtyn qytetarët që të lënë automjetet e tyre në vende të ndaluara, duke gjetur një zgjidhje për veten e tyre, por nga ana tjetër duke u bërë pengesë për përdoruesit e tjerë të rrugës.
Situata është e ngjashme në zonën e Freskut në Tiranë, ku në mungesë të parkimeve, shoferët lënë automjetet e tyre mbi trotuare. Kjo gjë është kthyer në një shqetësim të padurueshëm për qytetarët e tjerë, këmbësorët, të cilët nuk mund të përdorin trotuarët.
“Mezi pritëm të shtohen rrugët, tani që u shtruan dhe i kemi me trotuar nuk i përdorim dot,” thotë një banor i shqetësur.
Sikurse mund të shihet dhe nga fotot, kudo shfaqen makina të paguara gabim mbi trotuarë. Banorët kërkojnë që të merren masa për krijimin e vendeve të posaçme për parkim, në mënyrë që kjo situatë të ndryshojë përgjithmonë, dhe ata të jetojnë normalisht.
Policia gjithashtu duhet të reagojë në mbarëvajtjen dhe ndalimin e këtyre parkimeve.
Më poshtë denoncimi i plotë i qytetarit:
“Përshëndetje si jeni, doja të denoncoja një fenomen shqetësues dhe kolektiv. Pse them kolektiv? Sepse çdo gjë ndodh nga vetë ne si shoqëri.
Mezi prisnim të shtroheshin rrugët, vuajtëm pluhurin, gropat, baltën dhe çdo gjë. Sot rrugët i kemi dhe me trotuar, ama nuk kemi ku të ecim.
Urdhëroni me fakti në Zonën e Freskut, pranë shkollës “17 Shkurti” dhe komlet zona është katastrofë. Parkojnë si t’u dojë kokrra e qejfit dhe sduan t’ia dinë. S’ka polici që të marrë masa.”

