Media spanjolle rikthen në vëmendje misterin e vdekjes së Saimir Sulës, familja kërkon drejtësi

Media spanjolle rikthen në vëmendje misterin e…

Gjashtë vite pas vdekjes së shqiptarit Saimir Sula në një spital në Barcelonë, rasti rikthehet në vëmendjen e mediave spanjolle. Gazeta “The Objective” i ka kushtuar një artikull të zgjeruar ngjarjes së majit 2020, kur Sula ndërroi jetë në spital dhe trupi i tij u riatdhesua në Shqipëri pa zemrën. Familja vijon të kërkojë zbardhjen e plotë të rrethanave të vdekjes dhe shpjegimin se çfarë ndodhi me organin e munguar.

 

Sipas raportimit, hetimi i autoriteteve spanjolle është mbyllur, ndërsa Prokuroria e Tiranës vijon të mbajë të hapur çështjen për trafik të mundshëm organesh. Hetimet shqiptare janë përballur me vështirësi për shkak të 14 provave të kërkuara nga Spanja, përfshirë pamjet e kamerave të sigurisë dhe dëshmitë e mjekëve e personelit spitalor. Ndërkohë, në Shqipëri mbërriti në korrik të vitit 2023 një zemër me datë vdekjeje 22 prill 2020, ndërsa Saimir Sula kishte ndërruar jetë më 9 maj të po atij viti. Deri më tani, analiza e ADN-së nuk ka arritur të përcaktojë nëse organi i përket atij.

 

Familjarët kërkojnë kryerjen e testit të ADN-së dhe rihapjen e hetimeve në Spanjë, duke e konsideruar identifikimin e organit një provë thelbësore për zbardhjen e çështjes. Avokati i familjes, Carlos Sardinero, ka ngritur shqetësime për mënyrën e ruajtjes së materialit biologjik, ndërsa gazetarja investigative Klodiana Lala ka vënë në pikëpyetje mungesën e progresit në sigurimin e provave. Pavarësisht viteve të kaluara, familja e Saimir Sulës vijon të kërkojë përgjigje për një ngjarje që mbetet ende e pazbardhur plotësisht.

 

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit