Mega operacioni policor kundër kalimit të paligjshëm në Britani, mes të arrestuarve edhe dy shqiptarë

Mega operacioni policor kundër kalimit të paligjshëm…

Disa persona u arrestuan sot në Bradford si pjesë e një hetimi ndërkombëtar për kontrabandën e migrantëve në Britani të Madhe me anije.

Rreth orës 6 të mëngjesit të sotëm, oficerët e policisë britanike kryen kërkime në pesë adresa në Bradford, Wakefield dhe Grimethorpe.

Mes të arrestuarve ishin edhe dy shtetas shqiptar, një 34-vjeçar shqiptar në Wibsey, i cili përfundoi në pranga me dyshimin e hyrjes në mënyrë të paligjshme në Britaninë e Madhe dhe veprave të drogës dhe një 24-vjeçar u arrestua në një adresë në Wakefield gjithashtu me dyshimin e hyrjes së paligjshme në MB.

Rreth 9000 paund dhe rreth 60 bimë kanabis u kapën gjithashtu në operacion, së bashku me prova të tjera.

Më herët gjatë ditës, si pjesë e të njëjtit hetim, autoritetet belge arrestuan 10 persona dhe sekuestruan një armë, pasi kontrolluan 12 adresa kryesisht në rajonin e Liege.

Arrestimet pasuan një incident më 4 dhjetor të vitit të kaluar kur 14 shqiptarë u arrestuan me dyshimin se hynë në Mbretërinë e Bashkuar në mënyrë të paligjshme përmes një anijeje që zbarkoi në portin e Southwold.

Zyrtarët e Emigracionit u morën me këtë incident dhe filluan një hetim.

Chris Philp, Ministri për çështjet e Emigracionit, tha: “Këto arrestime u bënë si pjesë e një hetimi të vazhdueshëm për një grup të dyshuar të krimit të organizuar të përfshirë në kontrabandë njerëzish. Ne besojmë se arrestimet e bëra sot në Mbretërinë e Bashkuar dhe Belgjikë do të kenë prishur ndjeshëm aktivitetet e grupit”.

“Kontrabanda me njerëz është një krim i neveritshëm që i trajton migrantët si ngarkesë njerëzore nga të cilat përfitohet. Duke punuar me partnerë brenda dhe jashtë vendit, ne jemi të vendosur të bëjmë gjithçka mundemi për të çmontuar rrjetet kriminale të përfshira në imigrim të paligjshëm”. 

Burimi:Telegraph&Argus  Përshtati: /GazetaAtdheu.com/

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit