Një 47-vjeçar shqiptar nga Kosova akuzohet për vrasjen brutale të bashkëshortes së tij 38-vjeçare në Austri. Sipas aktakuzës, ai fillimisht e qëlloi tri herë me pistoletë dhe më pas e goditi rreth 40 herë me kaçavidë.
Krimi ndodhi më 5 prill 2026, ditën e Pashkëve, në Sooß, në distriktin e Badenit.
Sipas prokurorisë, 47-vjeçari kishte shkuar në banesën e gruas, nga e cila ishte ndarë, duke i çuar dhurata për Pashkë. Pas një debati mes tyre, ai dyshohet se nxori armën dhe qëlloi drejt saj në krah, qafë dhe fytyrë. Më pas e sulmoi me kaçavidë, duke i shkaktuar plagë fatale.
Nuk e pranonte ndarjen, besonte se gruaja përdorte magji të zezë
Çifti kishte qenë i martuar prej 19 vitesh dhe kishte katër fëmijë. Problemet në marrëdhënien e tyre ishin thelluar që në vitin 2019, kur 47-vjeçari dyshohet se kishte ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes. Pas këtij episodi, ajo ishte larguar dhe ishte vendosur me fëmijët në Sooß.
Sipas akuzës, burri nuk e kishte pranuar ndarjen dhe kishte vazhduar të kërkonte kontakte me të. Prokuroria bën të ditur gjithashtu se ai kishte bindjen se bashkëshortja merrej me magji të zezë dhe se kjo po ndikonte negativisht edhe te fëmijët. Atij i ishte konstatuar një çrregullim i personalitetit skizotipik, por jo në një shkallë që ta përjashtonte përgjegjësinë penale.
Hetimet kanë zbuluar se arma e krimit ishte siguruar disa muaj para ngjarjes. Bëhet fjalë për një pistoletë Beretta 1934, të cilën ai dyshohet se e kishte blerë për 900 euro, së bashku me tre fishekë, nga një 45-vjeçar.
Ky i fundit akuzohet se kishte qenë në dijeni të planit për vrasjen e 38-vjeçares, pasi shqiptari dyshohet se ia kishte treguar qëllimin e tij. Megjithatë, ai kishte pranuar t’ia shiste armën. Pas blerjes, pistoleta ishte fshehur pranë stacionit të trenit në Sooß, ku kishte qëndruar deri ditën e krimit.
I pandehuri paraqitet në gjykatë me buzëqeshje
Të enjten, më 12 nëntor, 47-vjeçari doli para Gjykatës së Wiener Neustadt për t’u përballur me akuzat. Sipas medias austriake Heute, ai u paraqit në sallë me një buzëqeshje në fytyrë, i veshur me rroba të errëta dhe me duart e prangosura.
Pasi iu hoqën prangat, në përgjigje të paralajmërimit të gjyqtares për sjelljen gjatë procesit, ai deklaroi: “Unë nuk i bëj keq askujt. Vetëm nëse është vetëmbrojtje”.
47-vjeçari, i cili ka edhe precedentë të mëparshëm penalë, akuzohet për vrasjen e bashkëshortes, ndërsa 45-vjeçari për sigurimin e armës, duke qenë në dijeni të planit të dyshuar.
Krimi la katër fëmijë pa nënën e tyre. Ndaj të dy të pandehurve vlen prezumimi i pafajësisë deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.