Merkel kritikon Rusinë për sulmet kibernetike

Merkel kritikon Rusinë për sulmet kibernetike

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka folur ashpër ndaj Rusisë në lidhje me sulmin e piraterisë kibernetike në Bundestag në vitin 2015.

Duke paralajmëruar se ky veprim do të ketë pasoja, Merkel foli për “prova të forta” për përfshirjen ruse duke e konsideruar një mënyrë veprimi “monstruoze”. “Unë i marr shumë seriozisht këto gjëra, sepse besoj se hulumtimet janë bërë në mënyrën më të mirë”, tha Merkeli.

“Unë mund ta them sinqerisht: kjo më lëndon”- tha kancelarja e cila shtoi se çdo ditë përpiqet për një raport më të mirë me Rusinë. Por pastaj i duhet të përjetojë se ka dëshmi për një mënyrë të tillë veprimi.

“Ne duhet t’i kushtojmë vëmendje kësaj dhe jo thjesht ta heqim mendjen”, tha kancelarja. “Nuk është thjesht  rastësi, por është pa dyshim një strategji që po përdoret atje.” Kancelarja tha që ajo do të vazhdonte të përpiqej për një marrëdhënie të mirë me Rusinë. Por një “bashkëpunim në mirëbesim” në këtë mëynyrë cënohet.

E pyetur për pasojat e mundshme kundër Rusisë, Merkeli tha. “Sigurisht, ne gjithmonë i rezervojmë vetes të drejtën të marrim masa, përfshirë masa kundër Rusisë.”

Sipas raportimeve të disa mediave më 5 maj, hetuesit në Karlsruhe e fajësuan zbulimin ushtarak rus GRU për sulmin kibernetik në shkallë të gjerë në Bundestag në vitin 2015. Prokuroria Federale shpalli javën e kaluar një urdhër arresti ndërkombëtar kundër një pirati të ri rus të internetit, të quajtur Dimitri Badin, pas viteve të hetimeve të Zyrës Federale të Policisë Kriminale. Atë e akuzojnë për aktivitete të shërbimit sekret dhe spiunim të të dhënave. Ai kërkohet edhe nga FBI-ja e SHBA. Ai mendohet se ndodhet në Rusi.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit