Një zjarr i madh përfshiu mbrëmjen e djeshme rreth orës 21:00 me orën lokale, katet e fundit të një azili që strehonte dhjetëra të moshuar në qytetin e Tuzllës në verilindje të Bosnje dhe Hercegovinës.
Nuk është e qartë se çfarë e shkaktoi zjarrin, por autoritetet kanë nisur një hetim në vendin e ngjarjes. Sipas burimeve lokale, mes hipotezave është ajo e një qarku të shkurtër ose keqfunksionimi i sistemit elektrik. Deri më tani raportohet te ketë shkuar në 11 numri i viktimave dhe rreth 30 i të plagosurve.
Mediat lokale thanë se disa prej viktimave kanë mbetur të bllokuara në dhomat e pushtuara nga tymi, ndërsa persona të tjerë u shpëtuan me simptoma të rënda intoksikimi.
Zjarri u përhap me shpejtësi duke e bërë të vështirë operacionin e evakuimit. Zv/shefi i zjarrfikësve tha: “Situata ishte shumë e vështirë pasi zjarri ishte shumë i madh dhe sfidues, dhe evakuimi përfshinte individë me lëvizshmëri të kufizuar apo pa lëvizshmëri fare”.
Shërbimet zjarrfikëse kanë angazhuar mbi 20 punonjës dhe mjete të ndryshme për ta vënë nën kontroll situaten. Shërbimet e emergjencës mjekësore transferuan në spital të plagosurit e shumtë, ndërsa policia izoloi zonën.
Kryeministri i Federatës së Bosnjës, Nermin Nikshiq, njoftoi se Qeveria do të marrë pjesë në rindërtimin e shtëpisë dhe kujdesin për banorët e saj.