Një sasi lënde plasëse është vendosur në banesën e Altin Ballës, vëllait të Fadil alias Julian Ballës, në Xhafzotaj të Durrësit. Shpërthimi ka shkaktuar vetëm dëme materiale, duke dëmtuar portën e oborrit, ndërsa nuk raportohet për persona të lënduar.
Sipas burimeve, ngjarja ka ndodhur të shtunën, por është bërë publike vetëm tani. Policia nuk ka identifikuar ende autorët dhe po heton disa pista, mes tyre edhe mundësinë që shpërthimi të ketë qenë një mesazh kërcënues.
Hetuesit po verifikojnë gjithashtu nëse objektivi i vërtetë ka qenë Julian Balla, pasi banesa e tij ndodhet ngjitur me atë të vëllait.
Julian Balla është në kërkim nga SPAK prej më shumë se një viti, pasi ndaj tij është caktuar masa e sigurisë “arrest në burg” në kuadër të operacionit kundër organizatës kriminale të drejtuar nga Franc Çopja dhe Ervis Çela. Sipas dosjes së SPAK, grupi dyshohet se ka trafikuar rreth 28 ton kokainë nga Amerika Latine drejt Europës në dy episode të ndryshme, ndërsa 17 ton janë sekuestruar nga autoritetet.
Sipas hetimeve, Franc Çopja bashkëpunonte me Ervis Çelën për sigurimin e kokainës nga prodhuesit në Amerikën Latine. Lënda narkotike magazinohej në Paraguai, fshihej në ngarkesa të ndryshme tregtare dhe transportohej me rrugë detare drejt porteve të Belgjikës dhe Gjermanisë, ku më pas shpërndahej.
Julian Balla, i njohur edhe si ish-president i klubit të futbollit Erzeni, rezulton pronar i kompleksit turistik Ajman Park në Xhafzotaj, si dhe i vilës dykatëshe “Elysian” në bregdetin e Dhërmiut. Të dyja këto pasuri janë sekuestruar nga SPAK në kuadër të hetimeve pasurore. Përveç aktivitetit në biznes, Balla njihej edhe për kompaninë e tij, e cila kishte përfituar tendera publikë.