Detaje të reja janë nxjerrë në publik lidhur me përgjimet që SPAK i ka bërë kryebashkiakut Erion Veliaj, që prej më shumë se një muaji e gjysëm ndodhen të paraburgimin e Durrësit.
Në një fragment të bisedave telefonike që Veliaj ka zhvilluar me të afërm të tij, përmendet dhe një ministër, me të cilin kryebashkiaku ka një hatërmbetje të madhe që nuk veproi për ta shpëtuar nga burgu. Ai thotë se do ta shkrijë për 7 breza.
“Ministrin që ma bëri kështu e s’më doli në mbrojtje se fal! Për 7 breza do ta shkrij”, citohet të ketë thënë Erion Veliaj. Ky mesazh duket se shkon për Ministrin e Drejtësisë Ulsi Manja, për të cilin nuk dimë nëse duhet të frikësohet nga këto fjalë pikërisht në këtë moment kur Veliaj ndodhet i izoluar!
Pas këtyre deklaratave por edhe përgjimeve të tjera ku dyshohet si ai ka urdhëruar mediave që kontrollon për të ushtruar presion ndaj prokurorëve e gjykatësve të çështjes së tij, këta të fundit vendosën të lenë në fuqi masën e sigurisë së GjKKO për ta mbajtur në paraburgim kryebashkiakun.
Sipas prokurorëve, nëse ai del jashtë ka potencial për të dëmtuar provat e hetimit dhe për të intimiduar dëshmitarët.
Veliaj është arrestuar prej datës 10 shkurt 2025, nën dyshimet për përfshirje në korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë, pastrim të produkteve të veprës penale dhe fshehjen ose deklarimin e rremë të pasurisë.
Sipas hetimeve të SPAK, Veliaj dyshohet për përfshirje në një skemë korruptive, ku ka shpërndarë fonde publike dhe ka dhënë leje ndërtimi për kompani të caktuara, të cilat më pas kanë transferuar shuma të mëdha parash në llogaritë e entiteteve të lidhura me familjarët e tij, përfshirë bashkëshorten Ajola Xoxa.