Një mësues nga Tirana i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania me një denoncim lidhur me mënyrën se si zhvillohet provimi i Portalit “Mësues për Shqipërinë”, duke e cilësuar procesin të padrejtë dhe të pamundur për t’u përballuar brenda kohës së përcaktuar.
Sipas tij, edhe pse ka përfunduar studimet dhe ka punuar një vit si mësues me kontratë, këtë vit synon të rikthehet në portal për të përmirësuar pikët. Megjithatë, ai shprehet se mënyra e organizimit të testimit penalizon padrejtësisht kandidatët.
Mësuesi thotë se, ndryshe nga provimi i licencës ku ekziston një fond pyetjesh i njohur dhe pyetjet janë më të shkurtra, provimi i portalit përmban situata të gjata dhe alternativa shumë të ngjashme, ndërsa kandidatëve u jepen vetëm 60 minuta për 50 pyetje.
“Nuk ka asnjë shans që një pyetje gjysmë faqeje ta lexosh, ta kuptosh dhe të zgjedhësh alternativën e saktë brenda një minute e 20 sekondash. Vetëm të lexosh pyetjen merr kohë”, shkruan ai.
Ai shton se gjatë provimit të vitit të kaluar pati edhe ndërprerje të energjisë elektrike disa herë, çka sipas tij rriti edhe më shumë stresin dhe ndikoi negativisht në performancën e kandidatëve.
Një tjetër shqetësim që ngre mësuesi lidhet me degët shkencore, si matematika, ku kandidatët duhet fillimisht të zgjidhin ushtrimet në letër dhe më pas të zgjedhin alternativën e saktë në test.
“Të paktën ta rrisin kohën në 90 minuta. Edhe ajo është pak, por të paktën na jep mundësinë të përqendrohemi. Kemi bërë vite shkollë dhe sakrifica, ndërsa një provim me kohë kaq të kufizuar mund të të kushtojë një vit të tërë”, shprehet ai.
Mësuesi ngre gjithashtu dyshime se në disa raste vendet vakante nuk publikohen të gjitha në portal, duke pretenduar se një pjesë e tyre mbahen të fshehura. Kjo mbetet një pretendim i tij, për të cilin nuk ka një reagim zyrtar nga institucionet përgjegjëse.
Në përfundim, ai i bën thirrje Ministrisë së Arsimit dhe Qendrës së Shërbimeve Arsimore (QSHA) të rishikojnë formatin e testimit dhe kohën në dispozicion të kandidatëve, duke argumentuar se sistemi aktual po penalizon padrejtësisht shumë mësues që përpiqen të fitojnë një vend pune në arsim.
JOQ Albania mbetet e hapur për një reagim nga Ministria e Arsimit dhe QSHA lidhur me shqetësimet e ngritura nga mësuesi.