
Arsimi shqiptar po përballet me sfida të shumta, dhe një video e mbërritur në redaksinë tonë është dëshmi tronditëse e një realiteti që shpesh anashkalohet.
Në pamjet filmike, të cilat dyshohet se janë realizuar në një gjimnaz, shihen disa nxënëse duke i nxjerrë gishtin e mesit mësuesit teksa ai është i përqendruar në shpjegimin e mësimit për nxënës të tjerë.
Veprimi i papranueshëm, i cili shoqërohet me të qeshura dhe tallje mes tyre, është bërë në mënyrë të qëllimshme pas shpinës së mësuesit dhe duket se është regjistruar për t’u shpërndarë në rrjetet sociale, në veçanti në TikTok.
Ky incident është vetëm një nga shumë rastet që tregojnë zhvendosjen e vëmendjes së nxënësve nga arsimi drejt kulturës së “viralitetit” në rrjetet sociale. Sjellje të tilla jo vetëm që cenojnë figurën e mësuesit dhe autoritetin e shkollës, por janë edhe sinjal alarmi për degradimin e normave bazë të respektit dhe përgjegjësisë në ambientin shkollor.
Ky rast, por edhe të tjerë të ngjashëm, kërkojnë marrjen e masave të menjëhershme për të rikthyer disiplinën dhe etikën në institucionet tona arsimore.