
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta e ka konsideruar thirrjen e tij nga SPAK si një goditje politike. Meta deklaroi pas dy orësh dëshmi në SPAK se nuk ekziston asnjë provë që e implikon atë në dosjen “CEZ-DIA”.
Meta shtoi se u thirr nga institucioni më i lartë i drejtësisë në vend, si një person që ka dijeni mbi rrethanat e kësaj çështjeje.
“Në çdo rast tjetër nuk ekziston asnjë akt, shkresë, dokument, urdhër për ligje dhe akte nënligjore, nga Ilir Meta në detyrat e tij si zv.kryeministër as ministër i ekonomisë, përfshirë këtu edhe DIA edh CEZ. Isha si një person që ka dijeni për rrethana të caktuara. U pyeta për detaje të ndryshme të cilat nuk kanë asnjë rëndësi.”, tha ai.
I pyetur nëse është i gatshëm të përballet me drejtësinë, ai tha se nuk habitet nga keqpërdorimi i asnjë institucioni. Ai akuzoi kallëzuesin e tij në SPAK mbi këtë çështje se po përdoret nga qeveria për propagandë.
“Është rihapur në dhjetor 2019 me një kallëzues i cili është dënuar një dy herë për shpifje, një person që ka qenë punonjës i DIA-s, tani është i OSHHE dhe përdoret nga regjimi për shpifje, një person që ka dhënë në gjykatë një dëshmi ku asgjëkundi s’ka përmend emri im dhe me pas për arsye të problemeve që ka patur është përdorur për këtë çështje. Përgjigja ime është përsëri ajo që kam thënë para që po them përsëri dhe do ta theksoj, nuk ekziston asnjë akt, shkresë dokumentim, asnjë urdhër asnjë iniciativë për ligje, akte nënligjore, nga meta si ministër i ekonomisë në interes të askujt, përfshirë këtu edhe DIA-n, edhe CEZ-in. Ministria e Ekonomisë e ka denoncuar vendimin e ERE që favorizonte CEZ në dhjetor të vitit 2012 për çmimin e blerjet të energjisë. Isha si person që ka dijeni për rrethana të caktuara. U pyeta për detaje të ndryshme që s’kanë asnjë rëndësi,” tha ai.
Sipas tij, kryeministri Rama po përdor këtë çështje për të zhvendosur vëmëndjen nga aferat korruptive të qeverisë.