I penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani, është marrë për herë të dytë zyrtarisht i pandehur nga Prokuroria e Posaçme (SPAK). Këtë herë ai është përfshirë në dosjen nr. 9, e njohur si “Metamorfoza”, ku akuzohet për sigurimin e kushteve për vrasjen e Dorian Dulit, një nga kundërshtarët e grupit të Behar Bajrit në Shkodër.
Hetimi, i nisur nga SPAK në vitin 2023 dhe i ndarë në tre procedime të veçanta, ka çuar në ngritjen e akuzave edhe ndaj Denis Bajrit, i ekstraduar së fundmi nga Dubai, si dhe ndaj shtatë personave të tjerë të shpallur në kërkim. Secili prej tyre akuzohet për episode të ndryshme kriminale, që përfshijnë tentativa vrasjeje, sigurim kushtesh për ekzekutime, armëmbajtje pa leje dhe korrupsion.
Sipas dosjes hetimore, Dumani akuzohet se ka pranuar të organizojë eliminimin e Dorian Dulit kundrejt një pagese prej 200 mijë eurosh, shumë që, sipas komunikimeve të zbardhura nga aplikacioni Sky ECC, i është ofruar nga grupi Bajri përmes Bardhyl Mavrajt(Bajri).
Në bisedat e administruara nga SPAK, Dumani shprehet i vendosur për të kryer atentatin.
“Dorin do ta mbaroj unë… sa të më thuash. Unë s’të ve çmim, ti shife vetë.”
Nga ana tjetër, Bardhyl Mavraj i shpjegon se objektivi nuk kishte pasur konflikt të drejtpërdrejtë me ta, por ishte bërë shënjestër për shkak të lidhjeve që kishte me familjen Lici, rivale e Bajrave.
“S’na ka ba dëm, por rri me hasmit tanë. Për këtë duam ta heqim.”
Plani për atentatin
Sipas hetimit, fillimisht grupi kishte tentuar të rekrutonte disa persona për të kryer vrasjen e Dulit, mes tyre Astmer Bilalin, Denis Brajoviçin, Prekë Kodrën, Aleksandër Bahon (“Sakatin”), Pëllumb Gjokën, ish-deputetin Arben Ndoka dhe ish-drejtorin e Policisë së Shkodrës, Ardrit Hasanbegaj.
Megjithatë, atentati nuk u realizua, pasi Dorian Duli lëvizte vazhdimisht i armatosur dhe grupi kishte frikë nga një kundërpërgjigje.
Më pas, sipas SPAK, Behar Bajri dhe bashkëpunëtorët e tij iu drejtuan Nuredin Dumanit dhe Aleksandër Bahos për realizimin e planit.
Nga komunikimet rezulton se Dumani kishte hartuar një skenar ku Duli do të eliminohej me 3 kilogramë eksploziv, të vendosur në automjetin e tij dhe të aktivizuar me telekomandë.
Në bisedat me Aleksandër Bahon, i njohur si “Sakati”, diskutohet edhe mundësia që Dorian Duli të ftohej në drekë, duke shfrytëzuar njohjen që ky i fundit kishte me Bahon. Ideja ishte që gjatë takimit t’i vendosej eksplozivi në makinë pa ngjallur dyshime.
Sipas dosjes, Dumani propozonte gjithashtu vendosjen e një pajisjeje GPS në automjet, për të monitoruar lëvizjet e Dulit dhe për të shpërthyer eksplozivin në momentin më të favorshëm.
Në një tjetër komunikim ai shkruan:
“Do t’i fusim 3 kilogramë eksploziv dhe GPS. Pastaj e ndjekim dhe e shpërthejmë në autostradë.”
Ndërsa Baho sugjeron se, nëse makina do të ishte e mbyllur, mund t’i kërkonte çelësat me pretekstin për t’i futur një shishe raki në automjet, në mënyrë që eksplozivi të vendosej pa rënë në sy.
Pas diskutimeve mbi planin, Bardhyl Mavraj i garanton Dumanit pagesën prej 200 mijë eurosh, duke i kërkuar vetëm që atentati të realizohej.
Nga ana e tij, Dumani shprehet i bindur se objektivi nuk kishte më shpëtim.
“Do mbarojë se s’bën. Është në kryq tani, s’ka gjallesë në tokë që e shpëton.”
Komunikimet mes tyre vijuan përmes platformës Sky ECC, ku shkëmbeheshin informacione për automjetin që përdorte Dorian Duli, lëvizjet e tij dhe mënyrën më të përshtatshme për të realizuar atentatin. Sipas dosjes së SPAK, plani nuk u vu kurrë në zbatim, por bisedat konsiderohen provë e rëndësishme për akuzat e ngritura ndaj të pandehurve.