
Microsoft ka prezantuar një platformë të re mjekësore të bazuar në inteligjencën artificiale, të cilën e quan “Orkestruesi Diagnostikues i IA”. Kjo platformë është zhvillimi i parë madhor nga njësia e re shëndetësore e kompanisë, e krijuar vitin e kaluar nën drejtimin e Mustafa Suleyman. Sipas Microsoft-it, kjo teknologji është katër herë më e saktë se mjekët në diagnostikimin e sëmundjeve të ndërlikuara dhe mund të ndihmojë ndjeshëm në përmirësimin e kujdesit shëndetësor.
Për të vlerësuar saktësinë dhe efektivitetin e platformës, ajo u testua me 304 raste nga revista prestigjioze New England Journal of Medicine, që përmbajnë disa nga sfidat më të vështira diagnostike. Rezultatet e testimit treguan performancë shumë më të mirë krahasuar me mjekët, si në shpejtësi ashtu edhe në saktësi, duke sugjeruar potencial për zgjidhjen e problemeve si mungesa e stafit mjekësor dhe listat e gjata të pritjes në spitale.
Mustafa Suleyman, udhëheqësi i projektit, tha se kjo teknologji përfaqëson një hap drejt “superinteligjencës mjekësore”, që do të ketë ndikim të thellë në sistemet shëndetësore globale. Ai theksoi se Microsoft nuk po krijon vetëm zgjidhje më të mira, por po ndërton modele që janë ndjeshëm më të fuqishme dhe më efikase se vetë ekspertët njerëzorë. Kjo nismë është pjesë e një përpjekjeje më të gjerë të Microsoft-it për të çuar përpara teknologjinë shëndetësore, duke përdorur përvojën dhe investimet e mëdha që ka bërë në OpenAI