Të dielën, më 20 shtator, në Milano pritet të zhvillohet një marshim në mbështetje të protestave që po zhvillohen në Tiranë. Aktiviteti organizohet pas 17 protestash të zhvilluara radhazi dhe synon të përcjellë solidaritetin e komunitetit shqiptar që jeton në Itali dhe më gjerë. Organizatorët u kanë bërë thirrje shqiptarëve në diasporë që t’i bashkohen aktivitetit dhe të shprehin mbështetjen e tyre për protestat në kryeqytetin shqiptar.
Sipas njoftimit të organizatorëve, në marshim pritet të marrin pjesë edhe eurodeputetë. Thirrja për pjesëmarrje i drejtohet veçanërisht komuniteteve shqiptare në Lombardi, qyteteve dhe zonave të tjera të Italisë së Veriut, si dhe shqiptarëve që jetojnë në zona të ndryshme të Zvicrës. Organizatorët synojnë një pjesëmarrje sa më të gjerë dhe u kanë kërkuar qytetarëve që të shpërndajnë posterin dhe njoftimin në rrethet e tyre shoqërore e familjare.
Në njoftim u bëhet thirrje gjithashtu gazetarëve dhe mediave shqiptare që veprojnë në Itali, veçanërisht korrespondentëve në Milano, që ta ndjekin nga afër marshimin dhe të raportojnë për aktivitetin. Organizatorët shprehen se synojnë që protesta në Milano të shërbejë si një mesazh solidariteti nga diaspora shqiptare për zhvillimet në Tiranë, ndërsa pjesëmarrja e eurodeputetëve pritet t’i japë aktivitetit një dimension më të gjerë politik dhe publik.
