Ministri Gonxhja: Kishim tërmete dhe pandemi, kemi qeverisur vetëm gjashtë vite

Ministri Gonxhja: Kishim tërmete dhe pandemi, kemi…

Ministri Blendi Gonxhja deklaroi mbrëmjen e shkuar se “Shqipëria e re” ka nisur të ndërtohet pas vitit 2017, duke e cilësuar këtë periudhë si bazën reale të qeverisjes së PS-së.

Sipas tij, në llogaritjen e viteve “efektive” të qeverisjes duhen përjashtuar tërmetet dhe pandemia, pasi këto, siç u shpreh ai, kanë ndikuar në ritmin e zhvillimit. Në këtë logjikë paksa “kreative të statistikës”, Shqipëria rezulton të ketë pasur më shumë fatkeqësi sesa vite të plota qeverisjeje.

“Janë vetëm gjashtë vite qeverisje efektive,” tha ministri, duke lënë të kuptohet se pjesa tjetër e kohës ka qenë thjesht një lloj pauze historike e imponuar nga natyra dhe virusi.

Ai shtoi gjithashtu se vendi nuk mund të bëhet “si Zvicra apo Suedia për gjashtë vite”, një deklaratë që në vetvete ka hapur diskutime, sidomos nëse Shqipëria e re fillon vërtet në 2017 apo thjesht rifillon çdo herë kur hiqen nga ekuacioni faktorët e pakëndshëm.

Në fund, ministri paralajmëroi edhe për “shqyrtim të asaj që qëndron pas protestave”, një fjali që në klimën politike shqiptare tingëllon gjithmonë si hyrje e një seriali të ri investigativ.

Në këtë mënyrë, “Shqipëria e re” vazhdon të ndërtohet… me kusht që historia të pranojë të bëjë pushim kur realiteti bëhet paksa i vështirë.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit