Sa herë lind nevoja për propagandë, receta është e njëjtë… Një histori prekëse, disa foto të kuruara mirë dhe një video për rrjetet sociale me poltrona të dhuruar nga biznesmenë që shiten sikur janë të shtetit…
Këtë herë protagoniste është ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, e cila ka zgjedhur historinë e 10-vjeçarit Arsi për të promovuar punën e ministrisë dhe investimet në Onkologjik duke kopjuar ish-ministrin e PR Erion Veliaj… Por fundi i propaganduesve, duke përmendur këtu edhe Belinda Ballukun, nuk është kurrë i lavdishëm…
Askush nuk mund të mos gëzohet që një fëmijë ia ka dalë përballë një sëmundjeje të rëndë. Suksesi i mjekëve dhe shërimi i një fëmije është lajm i mirë për të gjithë. Por pikërisht për këtë arsye, historia e tij nuk duhet të shndërrohet në sfondin emocional të propagandës politike.
Komunikimi institucional për barnat që mungojnë në Shëndetësi nuk mund të reduktohet në albume fotografike me histori që prekin zemrat. Ministria e Shëndetësisë duhet të japë përgjigje për politikat, ligjet dhe vendimet që prekin çdo pacient në Shqipëri.
Jashtë kornizës së fotografive zyrtare ekzistojnë qindra pacientë që presin analiza, barna, aparatura funksionale dhe trajtim dinjitoz. Ata nuk shfaqen në videot promocionale, por janë realiteti i përditshëm i sistemit shëndetësor.
Prandaj, më shumë se fotot mallëngjyese, publiku pret përgjigje. Më shumë se imazhet e kuruara, pret transparencë. Dhe më shumë se postimet në Facebook, pret vendime që ndikojnë realisht në jetën e pacientëve.