Mirlinda Karçanaj harxhon 560 milionë për Firefox, Chrome dhe mirëmbajtje kompjuterash

Mirlinda Karçanaj harxhon 560 milionë për Firefox,…

Mirlinda Karçanaj siç besoj e keni marrë vesh të gjithë, është drejtoresha e AKSHI-t. Ky institucion është trajtuar gjërësisht nga ne në lidhje me tenderat e shumtë të cilësuar si të dyshimtë, për një sërë shkaqesh. Për statistikë, pjesa dërrmuese e tenderave të organizuar nga ky institucion rezulton të kenë tipare të dyshimta. I tillë është natyrisht edhe rasti më i fundit që do t’ju paraqesim në vijim.

Bëhet fjalë për tenderin me numër reference REF-89382-03-09-2021 që ka si objekt “Mirëmbajtja e infrastrukturës së pajisjeve elektronike të zyrave të gjendjes civile- për DPGJC”. Në pamje të parë duket sikur kushedi se çfarë pune do të bëhët, pasi edhe termat e objektit janë zgjedhur të tilla. Por çfarë do të bëhet konkretisht nëpërmjet këtij tenderi? E thënë shqip, asgjë! Po, po, nuk e egzagjerojmë fare. Për këtë mjafton të shihen specifikimet e tenderit.

Vihet re që praktikisht objekti kryesor i këtij shërbimi është mirëmbajtja e kompjuterave, printerave, fotokopjeve, UPS në zyrat e Gjendjes Civile. Jo vetëm kaq, por në dokumenta shprehet se krahas komponenteve të mësipërm, pjese e kësaj kontrate do te jete edhe mirembajtja e sistemeve te operimit, paketave office, shfletuesve te internetit dhe programeve te tjerë informatikë, te nevojshëm për proceset e punës. Disa prej tyre janë: Microsoft Windows 7, 10; Microsoft Office 2007 dhe 2010 si dhe ëmbëlsira për në fund: Firefox dhe Google Chrome.

E bukura është se nuk bëhet fjalë për pak para por për gati 560 milionë lekë të vjetra me TVSH. Ndërkohë një tjetër moment i dyshimtë është fakti se në tender kanë marrë pjesë vetëm 3 firma, dhe të treja për habi kanë ofruar vlera mjaft të përafërta me njëra-tjetrën. Në praktikat ndërkombëtare të prokurimeve, ky fakt vlerësohet si tepër i dyshimtë në lidhje me paracaktimin e fituesit. Si përfundim, tenderin në fjalë e ka fituar kompania “ATOM” për vlerën e përmendur më lart. Jo vetëm kaq, por shikohet se edhe diferenca mes vlerës fituese dhe fondit limit të tenderit është mjaft e vogël, thuajse identike. Më konkretisht vlera fituese është sa 98.48% e fondit limit.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit