Misioni 'Rilindja' funksionoi? OKB: 1.2 milionë shqiptarë emigruan që nga '90-a, gati të largohen dhe 615 mijë

Misioni ‘Rilindja’ funksionoi? OKB: 1.2 milionë shqiptarë…

Kush guxon të thotë se “Rilindja” e Edi Ramës& CO, ishte një sipërmarrje e dështuar, i themi se kjo nuk është e vërtetë!

Në misionin e saj parësor, atë për të zbrazur dhe boshatisur Shqipërinë nga shqiptarët, ajo ka qenë tepër e suksesshme…

Këtë më mirë se sa fjalët tona e tregon me fakte dhe me shifra raporti më i fundit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Bëhet fjalë për migracionin neto, që përfshin diferencën mes personave që kthehen dhe atyre që largohen.

Divizioni i popullsisë së OKB-së ka bërë dhe parashikimet për migracionin e pritshëm në dekadat e ardhshme.

Sipas statistikave të publikuara, të paktën edhe për pesë vitet e ardhshme 2020-2025, ikja do të vijojë të jetë me ritme të larta.

Nga vendi do të largohen mesatarisht rreth 70 mijë persona të larguar neto.

Në 2025-2030, priten 55 mijë të larguar, për të vazhduar më pak në 5 vjeçarët në vijim me 40 mijë të ikur mesatarisht.

Si rrjedhojë, deri në vitin 2100, OKB parashikon se nga Shqipëria do të largohen edhe 615 mijë persona të tjerë.

OKB në statistikat e saj për Divizionin e Popullsisë vlerëson se, që nga viti 1990 deri në 2020-n, nga Shqipëria janë larguar rreth 1.2 milionë persona.

Vala më e lartë e migracionit ishte në periudhën 1990-1995.

Kjo, sepse kalimi nga ekonomia e centralizuar në atë të tregut dhe hapja e kufijve, bëri që shumë shqiptarë të largoheshin masivisht.

Përmes ambasadave, apo edhe eksodit me anijeve, gjatë kësaj periudhe kanë ikur 443 mijë emigrantë.

Tendenca vijoi dhe në 1995-2000, e nxitur nga trazirat e vitit 1997.

Gjatë kësaj periudhe u larguan 180 mijë persona. Pothuajse në të njëjtat nivele ishte tendenca e largimeve në pesëvjeçarin e ardhshëm.

Në periudhën 2005-2010 u konstatua sërish një valë e rritur migracioni, me 217 mijë të larguar.

Në vitit 2010-2015, nga vendi u larguan 137 mijë persona.

Tendenca e lartë për emigracion dhe ulja e lindshmërisë kanë bërë që OKB të rishikojë vazhdimisht në ulje projeksionet për ecurinë e popullsisë.

Sipas vlerësimit të fundit, që është bërë në vitin 2019, në të gjitha rastet, edhe në variantin më optimist.

Pra nëse merret një nivel zero emigracioni dhe ecuri normale e normave të fertilitetit, në vitin 2100, Shqipëria nuk pritet që të ketë me shumë se 1.9 milionë banorë.

Në variantin e mesëm, Shqipëria nuk pritet të ketë më shumë se 1 milionë banorë.

Për skenarin e ulët (normë të lartë emigracionit dhe fertilitet të ulët), në Shqipëri në vitin 2100, sipas pritshmërive të Divizionit të Popullsisë të OKB-së, në Shqipëri nuk pritet që të mbeten më shumë se 512 mijë banorë.

/Burimi: Monitor/Gazetaatdheu.com/

 

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit