
“Mjaft është mjaft! Kur ju injoroni (drejtësinë) njerëzit nuk ju injorojnë ju!”, ishte mesazhi i drejtpërdrejtë që Ylber Jaku publikoi një natë para se të ekzekutonte me një plumb Ryshyt Sallahun në fshatin Pla të Hasit. Postimi i tij në rrjetet sociale, i shoqëruar me një foto personale, u interpretua si paralajmërim për aktin që do të ndodhte vetëm një ditë më pas. Pas vrasjes, Jaku u arrestua nga policia dhe arma e krimit u sekuestrua.
Ngjarja tronditëse ndodhi vetëm dy ditë pasi motra e viktimës, 21-vjeçarja Artjola Sallahu, kishte dhunuar me sende të forta prindërit e autorit, Agim dhe Vera Jaku, pas një konflikti të ashpër për çështje pronësie. Të moshuarit përfunduan në spital me plagë, ndërsa Artjola u arrestua për plagosje të rëndë dhe të lehtë me dashje.
Konfliktet mes familjes Jaku dhe Sallahu janë të hershme dhe të përsëritura, të zgjatura për më shumë se një dekadë. Familja Jaku kishte bërë mbi 20 kallëzime pranë institucioneve për çështje të pronësisë, pa marrë një zgjidhje konkrete. Ndër vite, tensionet e pazgjidhura kanë degjeneruar në përplasje të dhunshme, kulmuar tragjikisht me vrasjen e Ryshyt Sallahut.