Banorët e fshatit Surroj, në Kukës, ngrenë shqetësimin për gjendjen e rënduar të rrugës që lidh zonën me pjesën tjetër të territorit, duke kërkuar ndërhyrjen e institucioneve përgjegjëse për zgjidhjen përfundimtare të këtij problemi.
Përmes një mesazhi drejtuar redaksisë sonë, një qytetar, në emër të banorëve të Surrojt, shprehet se prej shumë vitesh komuniteti përballet me vështirësi për shkak të infrastrukturës së amortizuar rrugore.
Sipas tij, kjo situatë ndikon drejtpërdrejt në jetën e përditshme të banorëve, duke vështirësuar lëvizjen e fëmijëve, të moshuarve dhe të çdo familjeje që jeton në këtë zonë.
“Është e turpshme që në vitin 2026 njerëzit ende të vuajnë për një rrugë normale. Kjo rrugë nuk është luks, por një nevojë jetike për banorët”, thuhet në mesazhin e qytetarit.
Banorët shprehen se nuk kanë më nevojë për premtime apo deklarata gjatë fushatave elektorale, por për ndërhyrje konkrete dhe një zgjidhje që t’i japë fund problematikës shumëvjeçare.
Përmes këtij apeli, ata kërkojnë që institucionet përgjegjëse të mos e lënë më në harresë fshatin Surroj, duke theksuar se edhe ky komunitet meriton infrastrukturë rrugore, zhvillim dhe kushte dinjitoze jetese.
“Deri kur do të presë Surroji?” është pyetja që banorët i drejtojnë institucioneve, në pritje të një reagimi dhe zgjidhjeje konkrete.