Mjegulla mbulon Kukësin, vështirësohet qarkullimi në qytet dhe në Rrugën e Kombit

Mjegulla mbulon Kukësin, vështirësohet qarkullimi në qytet…

Një mjegull e dendur ka mbuluar që në orët e para të mëngjesit qytetin e Kukësit dhe zonat përreth, duke reduktuar ndjeshëm dukshmërinë dhe duke krijuar vështirësi në qarkullimin e automjeteve.

Fenomeni atmosferik është shfaqur fillimisht në zonat e ulëta dhe përgjatë luginave, për t’u shtrirë më pas në një pjesë të konsiderueshme të territorit. Mjegulla ka përfshirë edhe hapësirën urbane, duke mbuluar ndërtesat, rrugët dhe relievin e qytetit deri në lartësinë rreth 500 metra mbi nivelin e detit.

Kushtet e vështira të motit janë ndjerë edhe në akset kryesore rrugore, veçanërisht në Rrugën e Kombit, ku mjegulla paraqitet më e dendur në segmentin Pobreg-Kolsh. Fushëpamja e kufizuar kërkon kujdes të shtuar nga drejtuesit e automjeteve, pasi vështirëson identifikimin në kohë të mjeteve të tjera, këmbësorëve dhe pengesave të mundshme në rrugë.

Në këto kushte, drejtuesit e mjeteve këshillohen të ulin shpejtësinë, të ruajnë distancën e sigurisë, të shmangin parakalimet dhe manovrat e rrezikshme, si dhe të përdorin ndriçimin e përshtatshëm për lëvizje në mjegull.

Përveç ndikimit në sigurinë rrugore, dendësia e mjegullës mund të sjellë edhe vonesa në udhëtime, për shkak të nevojës për lëvizje më të ngadaltë.

Mjegulla është një dukuri e zakonshme në zonën e Kukësit, veçanërisht gjatë muajve të vjeshtës dhe dimrit, kur kushtet atmosferike favorizojnë krijimin e saj në zonat e ulëta dhe luginat. Megjithatë, prania e saj në akset rrugore mbetet një faktor që kërkon vigjilencë të vazhdueshme nga të gjithë përdoruesit e rrugës.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit