Një aksident rrugor është regjistruar mëngjesin e kësaj të marte në hyrjen jugore të qytetit të Lushnjës, ku një automjet ka dalë nga rruga dhe është përplasur me një shtyllë të tensionit të mesëm. Ngjarja ka shkaktuar vetëm dëme materiale, ndërsa fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar.
Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se drejtuesi i mjetit ka humbur kontrollin si pasojë e shpejtësisë së lartë, duke bërë që automjeti të devijojë nga rruga dhe të përfundojë mbi shtyllën elektrike.
Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e plota të aksidentit, si dhe për të përcaktuar shkakun që çoi në daljen e automjetit nga rruga.