Lideri Suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, ka kërcënuar me hakmarrje ndaj SHBA-së dhe Izraelit për sulmet që, sipas raportimeve, vranë babain e tij, Ajatollah Ali Khamenei, në muajin shkurt. Në një mesazh me shkrim, ai deklaroi se hakmarrja është një kërkesë e kombit iranian dhe se autorët e sulmit nuk do t’i shpëtojnë drejtësisë.
Në deklaratën e tij, Mojtaba Khamenei theksoi se përgjegjësit për sulmet “nuk do të kenë një vdekje paqësore”, duke shtuar se kërkesa për hakmarrje nuk lidhet vetëm me të, por me vullnetin e popullit iranian. Ai la të kuptohet se reagimi i Iranit do të vijë pavarësisht se kush do të jetë në drejtimin e vendit.
Ndërkohë, zhvillimet diplomatike kanë marrë një tjetër drejtim. Sipas CBS News, SHBA nuk do të marrë pjesë në bisedimet me Iranin në Oman, megjithëse më herët ishte raportuar se një delegacion amerikan do të udhëtonte për vazhdimin e negociatave. Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, ndodhet në Oman për konsultime mbi situatën në Ngushticën e Hormuzit.