"Molla e sherrit" një vajzë, zbardhet plagosja e 22-vjeçarit në Kurbin

“Molla e sherrit” një vajzë, zbardhet plagosja…

Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e rëndë e regjistruar mbrëmjen e së shtunës, 25 korrik, në fshatin Gjorm të Kurbinit, ku mbeti i plagosur 22-vjeçari Veron Pasha.

Sipas informacioneve paraprake, policia ka identifikuar autorin e dyshuar të plagosjes dhe e ka shpallur atë në kërkim. Hetimet e deritanishme kanë nxjerrë si pistë kryesore një konflikt të nisur për motive personale, ku dyshohet se shkak i përplasjes mes dy të rinjve ka qenë një vajzë.

Përplasja mes tyre mësohet se ka nisur fillimisht me përleshje fizike, por situata ka përshkallëzuar më tej, duke çuar në përdorimin e armës së zjarrit. Gjatë konfliktit, 22-vjeçari Pasha ka mbetur i plagosur në këmbë si pasojë e të shtënave.

I riu është transportuar për ndihmë mjekësore dhe, sipas bluzave të bardha, ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë, forcat e policisë dhe grupi hetimor po vijojnë kontrollet dhe veprimet operative për kapjen e autorit të dyshuar, si dhe për të zbardhur të gjitha rrethanat që çuan në përshkallëzimin e konfliktit deri në përdorimin e armës.

Hetuesit pritet të marrin në pyetje personat që kanë dijeni mbi ngjarjen, ndërsa vijon puna për dokumentimin e plotë të rastit.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit