Mollët e Korçës mbeten pa shitur, Ministria Bujqësisë: Mbajini në frigorifer

Mollët e Korçës mbeten pa shitur, Ministria…

Përsëri e njëjta histori, fermerët e zonës së Korçës edhe këtë vit nuk i kanë shitur dot mollët e tyre për të cilat kanë punuar gjithë vitin.

Pjesa më e madhe e prodhimit u ka mbetur në magazina e frigoriferë, dhe shkak i kësaj gjendje është importi dhe futja në vendin tonë e produktit serb. Mbajtja e produktit në kushte frigorifierike është e kushtueshme, por e vetmja mënyrë për të ruajtur produktin nga prishja. Megjithatë jo të gjithë fermerët e kanë mundësinë për të plotësuar kushtet e favorshme për produktin e tyre, dhe janë të destinuar që nëse ai nuk shitet brenda pak ditë t’a hedhin në kanal.

Fermerët e fshatit Dvoran i cili njihet dhe për prodhimin e madh të këtij fruti, thonë se shitjet e këtij viti kanë qenë të ulëta. Importi sipas tyre ka bllokuar produktin e vendit tonë në frigoriferë.

Si zgjedhje të problemit ata shohin rritjen e çmimit të referencës në pikat doganore për produktin e huaj, në mënyrë që dhe tu krijohet hapësirë në treg produkteve vendase. Fermerët janë shprehur se kanë pasur takime dhe me përfaqësues të Ministrisë së Bujqësisë, të cilët u kanë thënë që t’i mbajnë mollët nëpër frigoriferë deri sa çështja të marrë një zgjidhje.

E gjithë fusha e Korçës njihet gjerësisht për prodhimin e mollëve, por gjatë 5 viteve të fundit shumë kultivues i kanë prerë pemët që kishin mbjellë pasi prodhimet u kanë shkuar dëm. Ata kanë zgjedhur që të mbyllin bizneset dhe të largohen në emigrim, pasi humbjet kanë qenë të vazhdueshme vit pas viti.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit