"Morava Resort"/ Bashkia Korçë mbron Arben Relin, që ndërtoi pa leje mijëra metra katrorë! Përse nuk po hetohen?

“Morava Resort”/ Bashkia Korçë mbron Arben Relin,…

Të gjitha institucionet kanë faktuar se Arben Reli ka ndërtuar mijëra metra katrorë pa leje në zonën më të bukur të Korçës, në zemrën e Malit të Moravës. Kadastra, gjykata, prokuroria dhe vetë Bashkia e Korçës kanë dijeni për këto ndërtime. Po, kush po e mbron këtë ndërtues që ka dhjetëra dosje të hapura në prokurori?! A do të mbajnë përgjegjësi zyrtarët që e kanë lejuar? Normalisht që po, pasi territori ku janë bërë ndërtimet pa leje është në administrim të Bashkisë Korçë. Dhe, kjo bashki ka një Inspektoriat Vendor të Mbrojtjes së Territorit, apo zyrë Urbanistike, të cilat vetëm me një verifikim disa minutash mund të faktonin këto ndërtime pa leje. Por, përse nuk i kanë bërë deri tani? Dhe, më e rëndësishmja, kur s’kanë fuqi për t’i prishur, përse nuk e kanë denoncuar Arben Relin në prokurori për ndërtim pa leje?

Normalisht, me këto mosveprime, drejtuesit e Bashkisë së Korçës kanë konsumuar disa vepra penale, ku më e rëndësishmja është shpërdorimi i detyrës. Ndërkohë, IMT-ja e kësaj bashkie duhet të mbajë përgjegjësi ligjore që nuk ka vepruar në kohë. Apo të paktën të bënte referimet përkatëse qoftë te IKMT në Tiranë qoftë edhe në Prokurorinë Korçë. Asnjë nga të dyja, duke mbrojtur hapur atë që ndërtoi pa leje. Për më tepër, nuk po vepron megjithëse çështja është denoncuar mediatikisht prej më shumë se 1 viti. Dhe, kur drejtuesit e vetë Bashkisë Korçë kanë faktuar se ato ndërtime janë pa leje.

Këta drejtues, të pyetur vitin e kaluar nga emisioni investigativ “Fiks Fare”, pranuan se ndërtimet janë totalisht pa leje. Madje, kjo u konfirmua nga Drejtoresha e Urbanistikës në Bashkinë Korçë, znj, Zhaneta Pepo. Ajo tha se Arben Reli ka bërë vetëm një deklaratë punimesh dhe s’ka marrë në bashki leje ndërtime. Me deklaratë punimesh bëhen vetëm disa riparime, ndërkohë Reli ka hapur themele, ka hedhur beton, tulla, llaç e madje edhe çati. “Shtesa anësore jashtë projektit as që diskutohet” tha vitin e kaluar znj. Pepo. Ndërkohë, edhe kryeinspektori i IMT Korçë, Idlir Limllari, konfirmoi se ndërtimet në kompleksin “Morava Resort” janë totalisht pa leje. IMT-ja ka bërë një akt konstatimi, ku evidentoi këto ndërtime. Por, vetëm aq! Deri më tani, asnjë drejtues i Bashkisë Korçë nuk ka guxuar që të veprojë. Të paktën të veprojnë me letra, pasi mjete s’kanë. Ata po “fshihen”, duke mbrojtur hapur Arben Relin, i cili vijon i qetë aktivitetin, pavarësisht se ka bërë ndërtim pa leje. Për kujtesë të krerëve të Bashkisë Korçë, apo të institucioneve të tjera, Arben Reli ka mbi shpinë disa vepra të rënda penale. Akuza e parë është ndërtimi pa leje, ndërsa dosja është regjistruar në akuzat e Tiranës dhe Korçës edhe për “shpërdorim detyre”, “falsifikim i dokumenteve”, “prerje e paligjshme pyjesh” si dhe “mashtrim me pasoja të rënda”. Pra, ka dosje të hapura edhe për shpërdorim detyre, ku një hetim i thjeshtë i Prokurorisë së Tiranës dhe Korçës do të zbulojë edhe bashkëpunëtorët e Arben Relit edhe në zyrat e Bashkisë së Korçës.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit