Motoçklisti përfundon i shtrirë në mes të rrugës: Ambulanca u vonua, ndihmën e parë ja dhanë qytetarët dhe një efektiv!

Motoçklisti përfundon i shtrirë në mes të…

Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar pasditen e sotme në zonën e Viruas, në Gjirokastër, ku një motoçikletë është përplasur me një kamion.

Sipas informacionit të mbërritur në redaksinë e JOQ Albania, drejtuesi i motorit po kthehej nga Greqia me destinacion Tiranën, kur në një kthesë në vendin e quajtur Virua është përplasur me kamionin. Si pasojë e përplasjes, ai ka mbetur i plagosur dhe ka pësuar dëmtime në këmbë.

Ajo që denoncojnë qytetarët është vonesa e ambulancës, e cila sipas tyre ka mbërritur më shumë se 30 minuta pas aksidentit, ndonëse spitali ndodhet vetëm pak minuta larg vendit të ngjarjes.

Sipas dëshmitarëve, i plagosuri kishte humbje gjaku dhe gjatë kësaj kohe ndihmën e parë ia kanë dhënë qytetarët e pranishëm, të cilët i kanë lidhur këmbën në pritje të mbërritjes së ekipit mjekësor. Ata pretendojnë se në vendngjarje ndodhej vetëm një efektiv policie, i cili ndihmoi të plagosurit, ndërsa institucionet e tjera nuk ishin ende të pranishme.

Nga informacionet paraprake, personi i plagosur ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe dyshohet se ka pësuar thyerje në këmbë.

JOQ Albania i bën thirrje autoriteteve kompetente të sqarojnë arsyet e vonesës së ambulancës dhe rrethanat e plota të këtij aksidenti.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit