Mourinho e bën të qartë para sfidës me Interin: Nëse humba dje, s’dua të ndodhë përsëri

Mourinho e bën të qartë para sfidës…

José Mourinho ka dalë para mediave në prag të supersfidës mes Real Madridit dhe Interit, që zhvillohet sot në mbrëmje në “Santiago Bernabéu”, me trajnerin portugez që nuk i ka kursyer as deklaratat pikante dhe as batutat.

Mourinho e cilësoi përballjen si të rëndësishme, por jo vendimtare, duke lënë të kuptohet se rrugët e dy skuadrave mund të kryqëzohen sërish kur të nisë faza e ndeshjeve që vendosin fatet e trofeut.

“Sot luajmë një ndeshje që nuk vendos asgjë, nuk është eliminatore. Unë dhe Interi do të kualifikohemi të dy. E shoh të mundshme që Real Madridi dhe Interi të përballen sërish në të ardhmen, kur gjërat të bëhen serioze.”

Portugezi foli edhe për mentalitetin e tij fitues, duke theksuar se ambicia nuk varet nga rezultatet e mëparshme.

“Gjithmonë dua të fitoj ndeshjen tjetër. Ambicia ime rinovohet nga ndeshja në ndeshje, jo nga sezoni në sezon. Nëse fitova dje, dua të fitoj sërish. Nëse humba dje, nuk dua të humbas përsëri.”

Për Interin, Mourinho pati vetëm fjalë vlerësimi, duke theksuar progresin e vazhdueshëm të skuadrës zikaltër.

“Interi ka një ekip fantastik që përmirësohet çdo vit. Punojnë me sistemin me pesë mbrojtës, largohet një lojtar dhe vjen një më i mirë.”

Por konferenca mori një kthesë më pikante kur gazetari italian Tancredi Palmeri i dhuroi Mourinhos një spërkatës uji, duke rikthyer në kujtesë një nga episodet më të famshme të karrierës së trajnerit portugez te Interi.

Bëhet fjalë për episodin e vitit 2010 në “Camp Nou”, kur Interi siguroi kualifikimin në finalen e Champions League dhe ujitësit e fushës u aktivizuan për të larguar lojtarët zikaltër nga fusha. Mourinho e priti dhuratën me buzëqeshje, duke e përjetuar me sportivitet një kujtim tashmë ikonik.

Ndërkohë, rikthimi në “Santiago Bernabéu” ka një domethënie të veçantë për Mourinhon. Vetë trajneri portugez pranoi se në këtë stadium ka përjetuar si momentet më të bukura, ashtu edhe ato më të dhimbshme të karrierës së tij.

“Aty kam fituar një Champions League dhe kam humbur një gjysmëfinale me penallti. Kam përjetuar më të mirën dhe më të keqen në atë stadium, por tani nuk mendoj për to. Jam fokusuar te fakti që jam trajneri i Real Madridit.”

Tashmë gjithçka është gati për përballjen e sotme, me Mourinho që rikthehet në një nga stadiumet më të rëndësishme të karrierës së tij dhe përballë një Interi që ai e njeh më mirë se pak trajnerë të tjerë.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit