Mposhti tumorin, Alvini 9-vjeçar ndërron jetë nga Covid-19

Mposhti tumorin, Alvini 9-vjeçar ndërron jetë nga…

Themeluesi i Fundjavës Ndryshe, Arbër Hajdari ka dhënë një lajm të trishtueshëm për ndarjen nga jeta të Alvinit.

Ai lajmëron në rrjetet sociale se 9-vjeçari po luftonte prej kohësh me tumorin.

Hajdari shkruan se i vogli ia arriti që të luftonte me tumorin, por nuk mposhti dot Covid-19.

Pasi u dërgua në Zvicër ku të voglit i dhanë veç një muaj jetë dhe pas një ndërhyrjeje në Stamboll ku u njoftua se doli me sukses, krejt papritur, Alvini ka ndërruar jetë nga koronavirusi.

“Mes trishtimit të papërshkrueshëm, me lot në sy, e zemër të coptuar, po ju njoftoj me një lajm të dhimbshëm për mua, për prindërit, por dhe për ju.

Krejt papritur, Alvini ka ndërruar jetë nga covid 19. Bëmë të pamundurën, nuk u dorëzuam as kur Profesori më i mirë në Europë në spitalin e Lozanës, nuk e mori përsipër operacionin e Alvinit. U operua në Turqi, u përmirësua, po rehabilitohej shumë mirë.

Por nuk paska qenë e thënë… Zoti e paska bërë për vete, siç duket! Alvini do jetë në parajsë, këtë e ka premtuar Zoti, për çdo fëmijë që ndërron jetë. Sa të jem gjallë nuk do ta harroj Alvinin, këtë fëmijë të mrekullueshëm, të zgjuar, të bukur, të mencur. Të Zotit jemi dhe tek ai do të kthehemi”,- shkruan Hajdari.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit