Po të shfletosh çdo libër të ekonomisë apo të pyesësh çdo ekspert në botë, rregulli është i prerë: kur një vend përfshihet nga trazirat sociale, protestat e dhunshme dhe përplasjet me policinë në rrugë, monedha vendase rrëzohet. Paniku i trazirave nxit menjëherë blerjen e valutave të forta si përshembull Euro, si “strehë e sigurt”, duke bërë që Euro të fluturojë me rritje.
Por në Shqipëri ndodh e pabesueshmja. Pas një jave me skena lufte në rrugët e kryeqytetit, me koktejle molotov, tymuese e pasiguri politike, Leku jo vetëm që nuk u dobësua, por u forcua edhe më tej, duke e shtyrë Euron në një zhvlerësim edhe më të thellë.
Në vend që të forcohej nga paniku politik, Euroja zbriti përsëri në pikiatë drejt kuotave minimale historike (duke prekur rreth 90.9 – 91.1 lekë). Kjo përmbysje e çdo ligji të njohur ekonomik nuk lidhet me ndonjë “forcë sekrete” të ekonomisë zyrtare, por me një realitet të pamohueshëm: fluksi i parasë informale dhe euros në të zezë është aq i jashtëzakonshëm, sa po e mbyt dhe po e zhvlerëson Euron pa asnjë mëshirë.

Euro në “rënie të lirë”: Kur paraja e zezë përmbys çdo ligj tregu
Kursi i këmbimit në kushte normale pasqyron besimin dhe riskun. Por kur tregu shqiptar është i mbingopur dhe i përmbytur nga masa gjigante të euros cash që vijnë nga ekonomia gri, transaksionet e padeklaruara në ndërtim dhe aktivitete të tjera informale, çmimi i Euros thjesht shkatërrohet.
-
Ofertë e pafundme valute në cash: Në Shqipëri hyjnë aq shumë euro në të zezë, saqë “kërkesa e panikut” që mund të krijojnë protestat është një pikë uji në oqean. Kur tregu mbytet nga euro që duhet të konvertohen patjetër, vlera e Euros bie në mënyrë drastike.
-
Trazirat nuk e ndalin dot pikiatën: Logjika thotë se pasiguria rrit çmimin e valutës. Mirëpo, paraja informale nuk pyet për tituj lajmesh e as për protesta. Detyrimi për të futur cash-in e euros në ekonominë vendase vazhdon me të njëjtin intensitet, duke e detyruar Euron të zhvlerësohet e të zhvlerësohet pa ndalur.
Përfundim: Një monedhë e pafuqishme përballë malit me Euro në të zezë
Zhbllokimi i kësaj enigme nuk kërkon filozofi ekonomike. Fakti që Euro po zhvlerësohet me ritme të frikshme, madje edhe në mes të trazirave e protestave të dhunshme që duhet ta ngrinin lart, është prova më e qartë se vëllimi i parasë informale e ka nxjerrë nga loja çdo mekanizëm të tregut të lirë.
Sot në Shqipëri, Euroja është kthyer në një monedhë që po humbet fuqinë përballë Lekut, jo se ekonomia shqiptare po lulëzon, por sepse bumi i euros në të zezë e ka zhvlerësuar atë në nivele groteske.